Politikë

Rama: Shqipëria meriton plotësisht hapjen e negociatave

Rama tha se Shqipëria i ka plotësuar detyrat për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE dhe u shpreh se progres raporti do të rekomandojë hapjen e negociatave

Saimir Alija   | 11.04.2019
Rama: Shqipëria meriton plotësisht hapjen e negociatave ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë është diskutuar rreth raportit të vitit 2018 mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), ndërsa kryeministri Edi Rama, tha se vendi meriton hapjen e negociatave, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij në seancë, kryeministri Rama tha se Shqipëria i ka plotësuar detyrat për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe u shpreh se progres raporti do të rekomandoj hapjen e negociatave.

“Shqipëria ka ecur para dhe progres raporti në fund të muajit maj do të rekomandoj pa kushte hapjen e negociatave. Rikonfirmimi i rekomandimit pa kushte, është edhe rikonfirmim pa kushte i një të vërtete të thjeshtë... Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësim në BE”, theksoi Rama.

“Shqipëria meriton plotësisht hapjen e negociatave. Rajoni, përfshirë dhe vendet që janë në negociata, duhet të marrin modelin e reformës në drejtësi që po bën Shqipëria. Ne kemi krijuar një model që është i vlefshëm për të gjithë rajonin. Ndërkohë që tjerët negociojnë, ne duhet të presim akoma çeljen e negociatave. Pritja jonë për çeljen e negociatave nuk lidhet me çfarë kemi bërë ne, por me sa janë gati të tjerët të përballojnë betejën e brendshme politike në disa vende kundër zgjerimit”, tha Rama.

Duke folur për reformën në drejtësi, kryeministri i Shqipërisë tha ajo do të vazhdoj intensivisht dhe se është pa kthim.

“Është një reformë përmes të cilës adresohet në mënyrë sistemike e gjithë problematika e pandëshkueshmërisë së trashëguar në vite dhe e luftës sistemike me korrupsionin. Reforma në drejtësi është pa kthim dhe do të vazhdoj intensivisht dhe Shqipëria do të filloj të ndjej rezultate edhe përtej atyre që janë të prekshme dhe kuptimplota të procesit të vettingut”, u shpreh Rama.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, kryeministri Rama tha se Shqipëria e ka problem, por se po adresohet "si asnjëherë më parë".

“Lufta ndaj korrupsionit është luftë për modernizimin e shtetit në radhë të parë dhe është kjo pjesë që do kohë, durim dhe një këmbëngulje të jashtëzakonshme pasi nuk mjaftojnë vetëm hetimet dhe ndëshkimet e përditshme, por vendosja në sistem e mekanizmave që jo vetëm kanë kapacitetin të hetojnë e ndëshkojnë, por që kanë kapacitetin të parandalojnë e ta bëjnë të pamundur korrupsionin në nivelet e shërbimeve për qytetarët”, u shpreh Rama.

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë u betuan tre deputetë, që më parë morën mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga lista shumëemërore e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), pas dorëheqjeve të deputetëve opozitarë. KQZ deri tani ka dhënë mandatet për 20 kandidatë, nga listat e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın