Ekip
31 janar 2022•Përditësim: 31 janar 2022
Qeveria e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis fitoi votëbesimin të dielën vonë pas refuzimit të mocionit të paraqitur nga partia kryesore opozitare Syriza, raporton Anadolu Agency (AA).
Në votim, 156 deputetë votuan kundër mocionit nga 157 deputetët e partisë në pushtet Demokracia e Re dhe 142 pro.
Deputetja e Demokracisë së Re, Marietta Giannakou, u shtrua në spital të shtunën vonë në repartin e kujdesit intensiv (ICU) të Spitalit të Përgjithshëm 251 Hellenic Air Force pas një rrëzimi.
Mocionin e paraqiti të enjten lideri i Syriza-s dhe ish-kryeministri Alexis Tsipras, i cili tha se një sërë krizash, duke përfshirë pandeminë e koronavirusit, rritjet e çmimeve të ushqimit dhe produkteve të tjera kryesore dhe mënyra se si qeveria trajtoi stuhinë e borës së javës së kaluar, dëshmojnë se "Mitsotakis dhe qeveria e tij janë joefektivë dhe të rrezikshëm për vendin".
Debati i nxehtë mbi mocionin filloi të premten, por arriti kulmin të dielën kur Mitsotakis kritikoi Tsipras-in.
Mocioni është një "përpjekje e dëshpëruar" nga lideri kryesor i opozitës, tha Mitsotakis.
"Ju thatë se kam mbaruar politikisht. Mendoj se ky parashikim është po aq i saktë sa kur thatë se nuk kishte asnjë shans në një milion që Mitsotakis të fitonte zgjedhjet", shtoi Mitsotakis, duke iu drejtuar Tsipras-it.
Mitsotakis akuzoi liderin e Syriza-s se po bën atë që ai di më mirë, "shtrembërimin e së vërtetës".
Tsipras u hakmor duke akuzuar Mitsotakis-in, ndërsa e tallte atë për kërkimfaljen e tij të fundit për ngjarjet pas stuhisë së borës.
"Ju keni borxh 23.275 kërkimfalje", tha Tsipras, duke iu referuar jetëve të humbura për shkak të pandemisë.
"Është koha që dikush t'ju tregojë se çfarë po ndodh realisht në shoqërinë greke", tha ai.
"Gjëja më e keqe është se ju jeni duke jetuar në universin tuaj paralel ku çdo gjë po shkon mirë, pasi ajo paraqitet sikur po ecën mirë nga mediat kryesore", tha Tsipras.
"Ju keni mbaruar, jo vetëm sepse keni dështuar me kosto të mëdha njerëzore, ekonomike dhe sociale në pothuajse të gjitha çështjet thelbësore që keni trajtuar. Si në pandemi, zjarre, çmimet e larta, bora e fundit...por kryesisht sepse në një kohë kur po dështon thellë në çdo gjë...vazhdon në mënyrë provokative të besosh se nuk je një kryeministër që duhet të mbajë përgjegjësi, por një princ i cili pushtetin e sheh si një të drejtë trashëgimore", shtoi ai.