Husamedin Gina
22 Shkurt 2019•Përditësim: 23 Shkurt 2019
Komisioni i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për çështje të rregullores së mandatit dhe imunitetit po debaton rreth kërkesës për heqje të imunitetit të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovski, i cili më 27 prill të vitit 2017 drejtoi seancën e Kuvendit kur ndodhën zhvillimet e përgjakshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Trajko Veljanovski, i cili dyshohet si njëri nga organizatorët e ngjarjeve në Kuvend, u tha anëtarëve të komisionit se një gjë të tillë nuk do ta bënte asnjëherë.
"Këtë e them me sinqeritetin më të madh, kam qenë kryetar i Kuvendit për 10 vite, prandaj një gjë të tillë nuk do ta bëja asnjëherë. Asnjëherë nuk kam menduar të bëj ndonjë veprim i cili do të ishte në kundërshtim me rregulloren, ligjin, si dhe në kundërshtim me procedurën parlamentare, sidomos diçka kundër kolegëve deputetë”, tha ai.
Deputetët e opozitës të cilët morën fjalën në punimet e komisionit, akuzuan përbërjen e tij se po qëron hesape me kundërshtarët politikë, përmes heqjes së imunitetit, ndërkohë që paraburgimi u shndërrua në dënim në vend të një mase kujdesi.
“Trajko, jam i bindur se Nikolla Gruevski të gjithëve u ka përdorur si vegël, sidomos ty. Çfarë ka ndodhur dhe çfarë komunikimi keni pasur dhe për çfarë keni biseduar, nëse keni organizuar apo jo, ne nuk mund të dimë”, i tha deputeti i LSDM-së në pushtet, Goran Misovski, deputetit Veljanovski, duke rikujtuar se është i vetmi kryeparlamentar i dënuar nga gjykata në Starzbur për dëbimin e gazetarëve më 24 dhjetor 2012.
Sipas rregullores për punë të Kuvendit, Komisioni është i obliguar që çështjen ta trajtojë dhe në afat prej dy ditësh ta dorëzoj raportin në adresë të kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut.
Si rrjedhojë, Kuvendi ka tri ditë kohë të vendosë për heqhjen e imunitetit që kërkon një shumicë të thjeshtë.
Kujtojmë se ish-kryetari i Kuvendit dhe deputet aktual, Trajko Veljanoski, së bashku me Mile Janakievskin dhe Spiro Ristovskin, u arrestuan me urdhër të Prokurorisë Publike nën dyshimin për përfshirje në ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017.
Veljanovski u thirr në imunitetin parlamentar, ndërsa ish-ministrave Janakievski dhe Ristovski iu caktua masa e paraburgimit 30 ditor.