PRISHTINË (AA) – Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, si dhe zëvendës kryetarja e Komisionit Evropian, sot ka arritur në Kosovë dhe tashmë është takuar me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën, raporton Anadolu Agency (AA).
Aktualisht, Mogherini dhe Mustafa janë duke biseduar në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kurse pas takimit të tyre, ata do të mbajnë konferencë për mediat.
Ndërkohë, në ora 13:45, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë do të pritet nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, në Kabinetin e Presidentes.
Në orët e pasdites, në zyrat e Bashkimit Evropian, Mogherini do të takohet edhe me liderët e partive politike opozitare, Visar Ymerin e Vetëvendosjes dhe Ramush Haradinajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe me përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë politike serbe e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.
Në fund, në mbrëmje, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Hashim Thaqi, do të ketë një darkë pune me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini në Prishtinë.