Besar Ademi
22 Tetor 2015•Përditësim: 23 Tetor 2015
SHKUP (AA) – Instituti i Demokracisë “Societas Civilis” në konferencën përfundimtare të projektit “Kuvendi nën thjerrëz – përforcimi i debatit politik dhe diskursit deliberativ” të mbajtur në Shkup, prezantoi hulumtimet e kryera në lidhje me cilësinë e diskutimit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë gjatë periudhës nga qershori i vitit 2014 deri në muajin maj të vitit 2015, raporton Anadolu Agency (AA).
Jane Dimevski nga Instituti i Demokracisë “Societas Civilis” dhe kryesues i projektit “Kuvendi nën thjerrëz”, duke marrë parasysh se në periudhën e hulumtimeve partia më e madhe opozitare nuk ishte e pranishme, theksoi se kjo ishte një periudhë me interes të madh, pasi që nga gjithsej 92 deputetë vetëm 10 kanë përfaqësuar opozitën.
Dimevski tha se diskutimi në Kuvend gjatë kësaj periudhe nuk ishte aq i pasur, pasi që nga gjithsej 2.200 fjalime vetëm 28 përqind u janë përgjigjur me kundër replika.
“Pasqyra e përgjithshme që kemi marrë gjatë kësaj periudhe, një periudhë jotipike për Kuvendin, është se vendimmarrjet ishin në anën e kundër të parimeve tona, pasi që diskutimi nuk ishte i pasur aq sa duhet. Nga të gjitha këto diskutime të realizuara në 121 seanca, ku bëhet fjalë për mbi 2.200 folës, 72 përqind ishin fjalime, ndërsa 28 përqind kundër replika të këtyre fjalimeve. Kjo do të thotë se një përqindje e madhe e folësve nuk është përballur me ndonjë kundër argument, mosmarrëveshje apo plotësim të argumenteve”, deklaroi Dimevski.
Nga ana tjetër Marko Trashanovski, poashtu nga Instituti i Demokracisë, tha se në kuadër të hulumtimeve të projektit, partive politike në vend u është bërë thirrje që të respektojnë Marrëveshjen e 2 qershorit dhe 15 korrikut, si dhe të japin kontributin e tyre në mënyrë që vendi të dalë nga kriza dhe jo të thellojnë atë edhe më tepër.
“Funksionimi i partive politike duhet të synojë zgjidhjen e krizës politike në vend, dhe jo thellimin e saj. Përkushtim i sinqertë në procesin e reformave të përcaktuara në marrëveshje, pa vonesën e tyre, është i vetmi tregues se partitë politike dëshirojnë të sigurijnë zgjedhje korrekte dhe demokratike”, deklaroi Trashanovski.