Timo Kirez
26 janar 2024•Përditësim: 30 janar 2024
Vepra e piktorit austriak, Gustav Klimt, të enjten u prezantua para publikut nga shtëpia e ankandit Im Kinsky në Vjenë, raporton Anadolu.
Portreti i Miss Lieser daton nga viti 1917 dhe si rrjedhojë, është nga veprat e vona të artistit me famë botërore.
Piktura, e cila ka përmasa 140 me 80 centimetra, ishte në pronësi private në Austri për dekada dhe u trashëgua disa herë brenda familjes, siç raportohet nga transmetuesi publik austriak ORF.
Trashëgimtari i fundit dëshironte ta nxjerrë atë në ankand dhe kontaktoi një avokat dhe bashkëdrejtorin e Kinsky, Ernst Ploil.
Michael Kovacek, drejtori i dytë menaxhues i shtëpisë së ankandeve, e quajti një "gjë të mrekullueshme" që një vepër me vlerë dhe rang kaq të rrallë mund të ofrohet në tregun e artit në këtë vend.
Për ankand priten oferta nga e gjithë bota. Siç shpjegoi Kovacek për ORF, piktura "mund të arrijë deri në 70 milionë euro (76 milionë dollarë)".
"Portreti i Miss Lieser" mund të shihet në Kinsky në Vjenë për rreth dy javë përpara datës së ankandit. Piktura do të shfaqet gjithashtu në disa vende në Evropë dhe Azinë Juglindore , si në Gjermani, Zvicër, Britani të Madhe dhe Hong Kong.
Megjithatë, ka një hendek problematik në historinë e pronarëve të pikturës midis viteve 1925 dhe 1960. Kjo periudhë përkon edhe me regjimin nacionalsocialist në Austri.
Nuk ka prova të "shpronësimit të paligjshëm", megjithëse janë kryer kërkime intensive, tha Kovacek për ORF. "Prandaj, nuk ka asnjë provë që vepra të jetë grabitur, vjedhur ose sekuestruar në mënyrë të paligjshme para ose gjatë Luftës së Dytë Botërore", shtoi ai.
Bëhet e ditur se pas vdekjes së piktorit më 6 shkurt 1918, vepra i është kthyer fillimisht porositësit.
Siç shpjegoi për transmetuesin bashkëdrejtori i shtëpisë së ankandeve, Ploil, gjurma e radhës e pikturës nuk u rishfaq deri në vitin 1925. Ajo u pa atë vit në një ekspozitë në Neue Galerie të Otto Kallir-Nirenstein në Vjenë.
Sipas Ploil, në këtë ekspozitë është realizuar edhe fotoja bardh e zi. Sipas kartës së inventarit për pikturën, në vitin 1925, fotografia i përkiste ende Henriette Lieser, kujdestares hebreje të skenës së artit në Vjenë.
Lieser mbeti në Vjenë pavarësisht regjimit nazist, ndërsa u deportua dhe u vra në vitin 1942. Sipas shtëpisë së ankandit, vajzat e saj kërkuan me ngulm kthimin e aseteve të saj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por kurrë nuk e përmendën pikturën dhe as nuk kërkuan kthimin e saj.