Ivana Ramadanova
19 Janar 2017•Përditësim: 19 Janar 2017
SHKUP (AA) – Qytetarët e Maqedonisë që i takojnë besimit krishter ortodoks, sot kremtojnë festën e Epifanisë, e cila sipas besimit të krishterë ka simbolikën e pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan, raporton Anadolu Anadolu (AA).
Sipas besimit të krishterë, në këtë ditë shenjtërohen ujërat për të cilët besohet se shërojnë dhe janë të bekuar.
Tradicionalisht pothuajse në të gjitha vendbanimet në Maqedoni gjatë ditës bëhet hedhja e kryqit në ujë nga ana e priftërinjëve dhe kjo bëhet në lum, liqe ose pishinë, ku njerëzit kërcejnë në tentativë për ta kapur.
Besohet se në atë ditë të gjitha ujërat janë të pagëzuar ndërsa personi i cili do ta kap kryqin do të jetë i lumtur gjatë vitit të ardhshëm.
Dita e sotme e Epifanisë sipas ligjit për festat e Republikës së Maqedonisë është ditë jo pune për besimtarët krishterë ortodoksë.