Sibel Vezaj
07 Korrik 2016•Përditësim: 07 Korrik 2016
PRISHTINË (AA)- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e miratimit të propozimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, u shpreh se ky miratim është një dëshmi e përkrahjes dhe e gatishmërisë së institucioneve të BE-së për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke theksuar se ky është moment i ri dhe historik për Kosovën, Thaçi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook u shpreh se “I falënderoj eurodeputetët për angazhimin aktiv dhe vlerësimin real të të arriturave tona. Tani është radha që pa vonesë të veprojmë dhe t’i marrim vendimet ne si Kosovë. E ardhmja evropiane është e vetmja alternativë për Kosovën."
Ndërkaq, Ulrike Lunaçek, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, në një njoftim zyrtar shprehet se çelësi për të hapur derën e udhëtimit pa viza tani është në duart e politikanëve të Kosovës.
Duke theksuar se “Tani topi është në oborrin e Parlamentit të Kosovës dhe qeverisë” Luçanek bëri të ditur se ende nuk ka përparim të mjaftueshëm në lidhje me përmbushjen e dy kritereve të fundit, të atij të ratifikimit të marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, si dhe të luftimit me korrupsionin dhe me krimin e organizuar.
Luçanek ka bërë të ditur se votimi për liberalizimin e vizave është shtyrë për më 5 shtator, për arsye të mungesave të këtyre kritereve, por edhe për ta siguruar mbështetjen e plotë të anëtarëve të këtij komisioni.
“Unë jam duke ofruar mbështetjen time të plotë dhe do të bëj gjithçka për të mbështetur edhe më tej Kosovën në këtë rrugë, për të marrë një votë pozitive në Parlamentin Evropian. Jam e bindur se qytetarët e Kosovës e meritojnë heqjen e vizave sa më shpejtë që është e mundur”, u shpreh Lunaçek.