Besar Ademi
26 Tetor 2016•Përditësim: 27 Tetor 2016
SHKUP (AA) – Ambasadori i Turqisë në Republikën e Maqedonisë, Ömür Şölendil, të cilit këtë muaj i përfundon detyra si ambasador, në ligjëratën e tij me titull “Jeta ime si një diplomat” të mbajtur në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), deklaroi se “Në Maqedoni është ndjerë si në shtëpi si dhe se zemra dhe shpirti i tij gjithmonë do të qëndrojë këtu pranë popullit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori Şölendil deklaroi se karriera e tij si diplomat ka filluar në vitin 1976, ndërsa brenda këtyre viteve ka shërbyer në disa detyra të rëndësishme. Ai në vijim, duke e cilësuar Ballkanin si “një vend të fortë”, shtoi se në këtë rajon që gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë i fortë, ka fituar përvojë shumë të madhe.
“Familja ime ishte në Turqi, megjithatë unë këtu gjeta një familje shumë të madhe. Secili këtu u bë pjesë e familjes. Të mësuarit nuk njeh moshë dhe unë këtu mësova shumë gjëra nga ju”, tha Şölendil, duke shtuar se detyra si ambasador për herë të fundit në Maqedoni paraqet një nder të veçantë.
Şölendil në fjalën e tij iu drejtua edhe studentëve të cilëve u rekomandoi që t’i ndjekin inovacionet, zhvillimet dhe idetë nëpër botë.
“Ky universitet është një dritare mundësish për ju. Duke e shfrytëzuar këtë mundësi dhe duke punuar shumë, ju do të bëheni liderët e së nesërmes. Mos e kufizoni veten me plan-programin tuaj, lexoni dhe punoni edhe jashtë plan-programit, sepse vetëm lëndët mësimore nuk janë të mjaftueshme që ju të përgatiteni për të ardhmen”, porositi Şölendil.
Duke folur për mbështetjet dhe detyrat e institucioneve në vend në çdo punë gjatë detyrës së tij në Maqedoin, Şölendil shprehu falenderime edhe për Anadolu Agency (AA).
Rektori i Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, Ismail Kocayusufoğlu, në fjalën e tij para të pranishmëve, theksoi se Şölendil nuk ishte vetëm ambasador, por ishte edhe një vëlla i vërtetë që gjithmonë ka qenë i angazhuar për të kontribuar në paqen e botës.
“Që nga dita e parë që e pranuam ambasadorin në Shkup, ende i paemëruar zyrtarisht në karrigen e ambasadorit, filloi të merret me problemet tona ose me çështjet që diskutonim ne për studentët. Ai jetën e tij i përkushtoi vëllazërisë, paqes së botës dhe veçanërisht problemeve të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik. Unë thellësisht e falënderoj për kujdesin e tij jo vetëm për Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik, por edhe për çdo dedikim të tij për problemet e qenieve njerëzore dhe për paqen e botës”, deklaroi Kocayusufoğlu.
Në fund të programit, rektori Kocayusufoğlu i dhuroi ambasadorit Şölendil dhuratë falënderimi për kontributin e tij për IBU-në.
Para përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të vendit, organizatave turke në Maqedoni dhe studentëve të cilët ishin të pranishëm në ligjëratën e ambasadorit Şölendil, u adresuan edhe konsulli i nderit i Turqisë në Maqedoni, Aydoğan Ademovski, si dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Salih Murat, të cilët falënderuan ambasadorin për kontributin e dhënë.
Në ligjëratën e ambasadorit Şölendil të pranishëm ishin edhe koordinatori i zyrës së Agjencionit Turk për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), Teoman Tiryaki, zv/drejtor i Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre”, Fuat Korkmaz, sekretari shtetërorë në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë, Behixhudin Shehabi dhe mysafirë të tjerë.
Diplomati turk Ömür Şölendil është lindur më 20 korrik të vitit 1953 në Stamboll. Në karrierën e tij 40 vjeçare si diplomat i Turqisë nëpër botë, më herët ka ushtruar detyrën zv/konsull në Halep të Sirisë, konsull në ambasadë në Oslo të Norvegjisë, konsull i përgjithshëm në Batumi të Gjeorgjisë, konsull i përgjithshëm në Zurich të Zvicrës, përfaqësues i përhershëm i Turqisë në Zyrën e OKB-së në Vjenë, ambasador në Mongoli, Tripoli, Bukuresht dhe tani në Shkup, si dhe detyra tjera të rëndësishme diplomatike.