Ekip
26 mars 2018•Përditësim: 28 mars 2018
STAMBOLL (AA) – Janë shpallur fituesit e garës ndërkombëtare të fotografisë "Istanbul Photo Awards 2018" që organizohet për herë të katërt nga Anadolu Agency (AA).
Konkursi është sponsorizuar nga Bashkia Metropolitane e Stambollit (IBB), Turkish Airlines dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Juria ndërkombëtare e cila u mblodh në Stamboll në datat 18-21 mars, caktoi 27 fotografë nga 22 shtete si fitues të çmimeve.
Çmimin "Fotografia e vitit" e ka fituar fotografia e titulluar “Fëmija”, e fotoreporterit boshnjak Damir Sagolj, të cilën e ka realizuar në kampin ku ndodhen refugjatët muslimanë Rohingya në Bangladesh.
Kevin Frayer fitoi çmimin e parë në kategorinë e "lajmit seri”, me fotografinë e titulluar “Rohingya” të shkrepur për Getty Images.
Lukas Schulze me fotografinë “Notues apo peshk?”, ka fituar çmimin e parë në kategorinë "sport tek”, ndërsa Pavel Volkov mori çmimin e parë për kategorinë "sport seri" me fotografitë e titulluara “Historia e Talait” e shkrepur për Vechernaya Moskva Newspaper.
Muhamed Fathil Asri me fotografinë e realizuar për New Straits Times Press ka fituar çmimin e parë në kategorinë "Natyrë dhe Mjedis tek", kurse në kategorinë “Natyrë dhe Mjedis Seri" Marcus Yam fitoi çmimin e parë me fotografitë e shkrepura për Los Angeles Times.
Andrew McConnell ka marrë çmimin e parë në kategorinë "portret seri" me fotografitë e shkrepura për Panos Pictures, ndërsa në kategorinë "Jeta e Përditshme Seri" fitues i çmimit të parë është fotografi rus Sergei Stroitelev.
Këtë vit çmimi për Fotografin e Ri të moshës nën 28 vjeç iu dha fotografit nga Filipinet, Ezra Acayan.
Rodrigo Cabrita këtë vit ka fituar çmimin e parë në kategorinë "Natyrë dhe Mjedis seri", kurse Anastasia Rudenko çmimin e nderit në kategorinë “Jeta e Përditshme Seri”.
Fotografitë të cilat fituan çmime në "Istanbul Photo Awards", do të përfshihen në albumin vjetor të këtij konkursi, kurse do të takohen me publikun në ekspozitat që do të hapen jashtë vendit.
Përfaqësuesit kryesorë fotografisë së lajmeve në botë, të cilët e përbëjnë jurinë e konkursit, njoftojnë se në këtë konkurs kanë konkuruar fotografët me emër në fushat e tyre dhe se çdo vit rritet numri i aplikimeve si dhe cilësia e fotografive.
Gjatë zgjedhjes së fotografisë së vitit, anëtarët e jurisë thonë se kanë formuar një opinion të përbashkët në momentin kur e kanë parë fotografinë.
Juria thekson se dhënia e çmimeve të "Istanbul Photo Awards" për fotografitë të cilat tregojnë ngjarjet më të rëndësishme të vitit dhe aspektet e ndryshme të jetës, ofron një mbështetje të rëndësishme si nga aspekti material ashtu edhe nga aspekti i shikueshmërisë për fotoreporterët të cilët në të shumtën e rasteve veprojnë në kushte shumë të vështira.
Sipas tyre "Istanbul Photo Awards" në përgjithësi sjell kontribute serioze në shtypin vizual.
Juria Ndërkombëtare
Ashtu si në vitin e kaluar, pjesë e jurisë së konkursit edhe këtë vit është drejtorja e publikimeve dixhitale në revistën Paris Match, Marion Mertens, krye-fotografi në fushën e sportit pranë Getty Images, Cameron Spencer, fotografi i famshëm i Agjencisë Noor, Yuri Kozirev, fotoreporteri dhe këshilltari për media vizuale Georges De Keerle, drejtori për Shpërndarje të Fotografive dhe Zhvillim të Biznesit i AFP-së Michel Scotto, drejtori editorial i Lajmeve Vizuale i AA-së, Ahmet Sel dhe editori i Fotografive i AA-së Fırat Yurdakul.
Përveç tyre, këtë vit në juri morën pjesë edhe dy emra të rëndësishëm, drejtori vizual i Takie Dela-s, Andrei Polikanov dhe fituesi i vitit të kaluar të çmimit “Fotografia e Vitit”, Frederic Lafargue.
Çmimet
Fotoreporteri i cili mori çmimin e parë në kategorinë “Fotografia e Vitit” në "Istanbul Photo Awards" do të shpërblehet me 10 mijë dollarë. Ndërsa të gjitha vendet e para nëpër kategori do të shpërblehen me nga 8 mijë dollarë, të dytët me 5 mijë dollarë dhe të tretët me 3 mijë dollarë.
Çmimi për Fotografin e Ri, në vlerë prej 3 mijë dollarësh këtë vit do të jepet për herë të dytë.