Malik Hasa
04 Qershor 2016•Përditësim: 05 Qershor 2016
TIRANË (AA) – Në qytetin e Shkodrës, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Fotografisë "MARUBI" është mbajtur konferenca me temë "Trashëgimia kulturore-Motor Zhvillimi”, transmeton Anadolu Agency (AA).
E pranishme në këtë konferencë ka qenë edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, e cila gjatë fjalës së saj u ndal në procesin e rijetëzimit të qendrave historike dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomiko-social.
''Kemi arritur të kuptojmë që në të gjithë territorin e Shqipërisë, ka një pasuri të jashtëzakonshme me 1892 monumente kulturore'', është shprehur Kumbaro dhe më tej theksoi se një pjesë e mirë e tyre janë dëmtuar gjatë 25 viteve të fundit.
Pjesë e konferencës ishin edhe zyrtarë të pushtet lokal, studiues, si dhe ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore, ku në fjalët e tyre u ndalën edhe në procesin njohur si “Partneriteti Publik – Privat në Trashëgiminë Kulturore”.
Disa nga temat e trajtuara në këtë konferencë ishin: Administrimi i pasurive kulturore nëpërmjet partneritetit publik-privat në Shqipëri, sistemi i vlerave kulturore dhe zhvillimi i qëndrueshëm shoqëror-ekonomik i qendrave të trashëgimisë kulturore, agroturizmi dhe trashëgimia kulturore, projektligji i trashëgimisë kulturore, identiteti kulturor, rëndësia e tij në zhvillimin ekonomik të vendit, etj.