Ivana Ramadanova
30 Korrik 2016•Përditësim: 31 Korrik 2016
SHKUP (AA) - Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), sot shënon 30 korrikun, Ditën Botërore të luftës kundër trafikimit të njerëzve, raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i shënimit të kësaj dite është sensibilizimi i opinionit në lidhje me vuajtjet ndaj të cilave janë ekspozuar një numër i madh i viktimave të trafikimit me njerëz të cilët përballen me eksploatim seksual, punë të detyruar, robëri, trafikim me organe.
"Mbi 70 mijë njerëz në dy dekadat e fundit kanë marrë mbështetje nga ekipet tona në mbarë botën. Aktivitetet e ndërmarra në bashkëpunim me institucionet qeveritare, organizatat e sektorit joqeveritar dhe ndërkombëtar janë ngritur mbi tre parime: Respektimi i të drejtave të njeriut, mirëqenia fizike, mendore dhe sociale e njerëzve dhe komuniteteve të tyre, dhe qëndrueshmëria nëpërmjet forcimit të kapaciteteve institucionale të institucioneve qeveritare dhe shoqërisë civile. Mbështetja ka për qëllim parandalimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, por edhe u ofron atyre mundësi për riintegrim të sigurt dhe të qëndrueshëm apo rikthimin në vendet e tyre, aty ku ekzistojnë mundësitë", thuhet në njoftimin e IOM-it.
Sipas të dhënave të IOM-it, nga gjithsej 7.000 viktimat e vitit 2015, 85 përqind e tyre ishin viktima të trafikimit ndërkombëtarë me njerëz. Nga viktimat e mbijetuara të trafikimit me njerëz, 74 përqind janë trafikuar me qëllim të punës së detyruar, ndërsa 17 përqind me qëllim të shfrytëzimit seksual.
Rreth 13 përqind e numrit të përgjithshëm të viktimave të mbështetur të trafikimit me njerëz ishin fëmijë, mosha mesatare e të cilëve është 11 vjeç. Të dhënat, gjithashtu, tregojnë se viktimat e mbijetuar të mbështetur nga IOM-i kryesisht ishin gra, të cilat jo vetëm që janë përballur me abuzim seksual, por gjithashtu kanë qenë viktima të martesës së detyruar si dhe persona që pëballen me vështirësi serioze ekonomike.
Dita Botërore është caktuar në vitet 2013 pas miratimit të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për luftën kundër trafikimit me njerëz.
Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në luftën globale kundër trafikimit me njerëz u përfshi në një kontekst më të gjerë të menaxhimit të migracionit që nga viti 1994, me një vizion të qartë për trajtimin e këtij lloji të krimit, sepse pothuajse çdo shtet i botë është nën ndikimin e kësaj dukurie të shëmtuar, qoftë si vendi i origjinës, transitit apo edhe vend destinacioni i viktimave.