Orhan Onur Gemici
02 mars 2018•Përditësim: 02 mars 2018
ANKARA (AA) - Gjithsej 2.295 terroristë janë neutralizuar që nga fillimi i operacionit "Dega e Ullirit" në rajonin e Afrinit në veri të Sirisë, njoftoi ushtria turke, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga Shtatmadhoria e Turqisë, forcat turke janë duke i vazhduar operacionet tokësore dhe ajrore për neutralizimin e anëtarëve të organizatave terroriste PKK/KCK/PYD-YPG dhe DEASH në kuadër të operacionit.
Më 20 janar, Turqia nisi operacionin "Dega e Ullirit" për të larguar terroristët e PYD/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini në veri të Sirisë.
Operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve, ka njoftuar Shtatmadhoria e Turqisë.
Sipas shtatmadhorisë, operacioni zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.
Afrini ka qenë strehë e madhe për organizatën terroriste PYD/PKK që nga korriku i vitit 2012, kur regjimi i Asadit në Siri ia la qytetin organizatës terroriste pa luftë.
Afrin, forcat turke arrijnë në hyrje të qytezës Raxhu
Forcat e Armatosura Turke (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) në kuadër të operacionit "Dega e Ullirit" pastruan nga terroristët fshatrat Mesekanli, Mamali dhe Atamanli të Afrinit dhe arritën në hyrje të qendrës së qytezës Raxhu.
Sipas informacioneve nga gazetarët e AA-së në terren, mësohet se TSK dhe ULS kanë çliruar nga YPG/PKK-DEASH fshatrat Mesekanli, Mamali dhe Atamanli, si dhe kodrën e fshatit Bilal pranë qytezës Raxhu, në veriperëndim të Afrinit.
Me çlirimin e zonave në fjalë, forcat turke kanë arritur në hyrje të qendrës së qytezës Raxhu.
Gjatë avancimit u çlirua edhe kodra numër 1083, ku gjatë përleshjeve të djeshme mes trupave të TSK-së me terroristët, tetë ushtarë të forcave turke ranë dëshmorë.
Që nga fillimi i operacionit, TSK dhe ULS kanë çliruar nga organizatat terroriste YPG/PKK-DEASH 120 pika, përfshirë një qendër qyteze, 91 fshatra, gjashtë vendbanime rurale, 21 male ose kodra strategjike dhe një bazë të YPG/PKK-së në pesë qyteza të rajonit të Afrinit.