Murat Paksoy,Hatice Şenses Kurukız,Sefa Mutlu
19 nëntor 2017•Përditësim: 20 nëntor 2017
STAMBOLL (AA) – Sot iu dha lamtumira e fundit ish-peshëngritësit të kombëtares turke, kampionit evropian, botëror dhe i lojërave olimpike, Naim Suleymanoglu, raporton Anadolu Agency (AA).
Me pjesëmarrjen e kryeministrit të Turqisë Binali Yıldırım sot në xhaminë Fatih në Stamboll, u mbajt ceremonia e lamtumirës së fundit për Naim Suleymanoglu, i cili vlerësohet si “sportisti i shekullit”.
Para ceremonisë, familja dhe të afërmit e Suleymanoglu-t morën ngushëllime nga pjesëmarrësit.
Në namazin e xhenazes, përveç kryeministrit Yıldırım morën pjesë edhe nënkryetari i Parlamentit të Turqisë, Mehmet Akif Hamzaçebi, zv/kryeministri Hakan Çavuşoğlu, ministri i Drejtësisë Abdülhamit Gül, ministrja e Punës dhe Sigurisë Sociale Jülide Sarıeroğlu, ministri i Sportit Osman Aşkın Bak, ish-kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoğlu, kryebashkiaku i Stambollit Mevlüt Uysal, deputetët, përfaqësuesit e institucioneve e të spektrit politik në Turqi si dhe biznesmenë të shumtë.
Në ceremoninë e lamtumirës së fundit ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga bota e sportit në Turqi, si drejtori i përgjithshëm i sportit Mehmet Baykan, kryetari i Komitetit Olimpik Kombëtar Uğur Erdener, kryekëshilltari i presidentit dhe ish kampioni i lojërave olimpike, mundësi Hamza Yerlikaya, kryetari i Federatës së Baskebollit të Turqisë, Türkoğlu si dhe kryetarë e përfaqësues të federatave tjera të sportit në këtë vend.
Ceremoninë e varrimit të Suleymanoglu-t e ndoqën edhe gazetarët nga Bullgaria, ku ka lindur sportisti.
Arkivoli i tij u mbështjell me flamurin turk
Mbi arkivolin e mbështjellur me flamurin turk të Suleymanoglu-t u vendosën karajfilë.
I pranishëm ishte edhe konkurrenti më i madh i tij, Leonidis
Në varrimin e Suleymanoglu-t mori pjesë edhe njëri nga konkurrentët më të mëdhenj të tij gjatë jetës aktive në sport, sportisti grek Valerios Leonidis.
Leonidis, i cili ka ardhur në Stambull si i ftuar i Ministrisë së Rinisë dhe të Sportit, e puthi arkivolin e konkurrentit të tij, me të cilin në të kaluarën kanë garuar për medalje.
U morën masa të gjera të sigurisë
Gjatë faljes së namazit, në Xhaminë Fatih dhe përreth saj u morën masa të gjera të sigurisë. Rrugët përreth xhamisë u mbyllën për trafikun, kurse në hyrjet u vendosën pika të kontrollit.
Suleymanoglu trajtohej për probleme të mëlçisë
Suleymanoglu ishte shtrirë në spital më 28 shtator për shkak të problemeve të mëlçisë. Më 6 tetor i ishte bërë transplanti i mëlçisë në një spital në Stamboll, ku mbeti në kujdesin intensiv. Suleymanoglu më 11 nëntor iu nënshtrua një operacioni tjetër pas një hemorragjie në tru.
Ai dje ndërroi jetë në moshën 50-vjeçare.
Suleymanoglu i lindur në Bullgari, ishte peshëngritësi i parë i cili arriti të fitojë medalje të artë në tre lojëra të ndryshme olimpike. Ai gjithashtu është fitues i kampionatit botëror.