Ivana Ramadanova
21 Nëntor 2016•Përditësim: 22 Nëntor 2016
SOFJE (АА) – Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Bullgari mbajti ligjëratë me temë: "Migrimet dhe emigrantët: sfida për mijëvjeçarin e tretë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Ivanov sot para të pranishmëve tha se kriza e emigrantëve ende nuk ka filluar, pasi që në afërsi të kufijve të jashtëm të Evropës ndodhen midis 20 dhe 30 milionë emigrantë potencial.
“Siç rritet numri i refugjatëve ashtu edhe vullneti dhe gatishmëria e Bashkimit Evropian për t’i pranuar dhe integruar do të zvogëlohet. Njëherësh, kriza e emigrantëve kontribuoi drejt tendosjes së marrëdhënieve midis shteteve. Por, çmimin të cilin jemi duke e paguar për mosbashkëpunimin është shumë i shtrenjtë, pasi që sa më i dobët të jetë bashkëpunimi midis shteteve aq më i fuqishëm është bashkëpunimi midis kriminelëve”, tha Ivanov.
Sipas raportuesit të MIA-s nga Bullgaria, presidenti Ivanov ka theksuar se për dallim nga elitat politike dhe shërbimeve të sigurisë, trafikantët në Ballkan nuk kanë kurrfarë paragjykimesh etnike, gjuhësore apo religjioze.
Gjatë gjithë jetës, siç theksoi, do të jemi dëshmitarë të refugjatëve dhe emigrantëve të cilët do të përpiqen të vijnë në Evropë, pasi që ky është proces i madh. Në këtë kontekst i theksoi të dhënat e Kombeve të Bashkuara, sipas së cilave në botë janë rreth 232 milionë emigrantë ndërkombëtarë dhe 740 milionë emigrantë të brendshëm.
“Imagjinojeni paradoksin me të cilin jemi duke u ballafaquar. Maqedonia e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian e ruan Evropën prej BE-së”, tha presidenti i Maqedonisë, duke përkujtuar më pas në marrëveshjen midis BE-së dhe Turqisë të 18 marsit të këtij viti, me të cilën 'Rruga ballkanike' e shfrytëzuar prej refugjatëve u mbyll", tha ai.
Sipas shefit të shtetit, në pesë vitet e ardhshme lidhur me krizën e emigrantëve do të ballafaqohemi me dy sfida.
“Derisa sfida e parë është të sigurohet kontroll në korridoret përmes së cilëve transferohen emigrantët, sfida e dytë është të sigurohet kontroll mbi lëvizjen e lirë të emigrantëve të cilët ndodhen në Zonën e Shengenit. Nëse Brukseli vazhdon me zbatimin e masave burokratike, atëherë do të rritet rreziku i mbijetesës së Zonës së Shengenit”, shtoi Ivanov.
Në një ceremoni solemne në Akademinë bullgare të Shkencave (ABSH) presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov i është ndarë titulli “Doktor nderi i shkencave”.
Në kuadër të vizitës dyditore të punës në Bullgari, nesër presidenti Ivanov të zhvillojë takime me kolegun e tij bullgar, Rosen Plevneliev si dhe me presidentin e ri të Bullgarisë, Rumen Radev. Në takime do të bisedohet për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe mes dy vendeve dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit rajonal dypalësh.