Tuğrul Çam,Nazlı Yüzbaşıoğlu
16 Nëntor 2017•Përditësim: 16 Nëntor 2017
ANKARA (AA) - Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se SHBA ka preferuar bashkëpunimin me organizatën terroriste PYD/YPG dhe se me këtë vazhdon gabimin e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavusoğlu, këtë deklaratë e dha në Komisionin për planifikimin e Buxhetit të Parlamentit të Turqisë, me ç'rast ka bërë prezantimin e buxhetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për vitin 2018.
"SHBA po vazhdon me gabimin e saj. Ata shprehen se kjo preferencë është taktike por ne u kemi thënë atyre se nuk e pranojmë këtë pretendim. Shohim se gabimet e bëra në Irak po përsëriten edhe në Siri. Stabiliteti dhe e ardhmja e të dyja vendeve është e rëndësishme për ne. Për këtë arsye ne në çdo platformë themi se duhet të bashkëpunohet me popullin e vërtetë të Sirisë dhe jo me organizata terroriste dhe gjithashtu duhet të ketë një fokusim për zgjidhje politike", tha Çavuşoğlu duke vënë në dukje se SHBA-ja ka preferuar bashkëpunimin me organizatën terroriste PYD/YPG.
Më tej Çavuşoğlu ka shtuar se "Thuhej se YPG-ja deri më sot luftonte kundër DEASH-it por kemi vërejtur se YPG nuk përpiqet për të luftuar DEASH-in por përpiqet të marrë nën kontroll rajonet dhe të formojë kampe terrori. Në këtë rajon ata kanë hyrë në një bashkëpunim të afërt me DEASH-in. Kjo është zbuluar. Disa shtete brenda koalicionit dhe kryesisht SHBA-të nuk kanë mundur ta mohojnë këtë. Atëherë kur u intereson bashkëpunojnë me organizatat terroriste, dhe kur nuk u intereson luftojnë ose duken sikur luftojnë. Ne do të vazhdojmë të shpjegojmë se sa i rrezikshëm është bashkëpunimi me organizata terroriste".
Shefi i diplomacisë turke tha se "nuk është sekret se kemi përjetuar një periudhë të trazuar me SHBA-të". Sipas Çavuşoğlu-t, ka dy arsye për periudhën e trazuar.
"Njëra është furnizimi me armë dhe bashkëpunimi i SHBA-ve me YPG-në, armë të cilat po kapen vazhdimisht në Turqi në duart e PKK-së pra po përdoren kundër nesh. Pavarësisht paralajmërimeve të shumta që kemi bërë fatkeqësisht SHBA-të kanë vazhduar këtë politikë të tyren. Ndërsa në anën tjetër qëndron FETO e cila vazhdon aktivitetet e saj në SHBA dhe nuk është nisur asnjë proces ndaj saj. Mos kryerja e hapave të nevojshme përkundër kërkesave tona me kuptimin e plotë për ekstradimin udhëheqësit të FETO-s ka ndikuar në ndjenjat e popullit turk për SHBA-të, ku kemi përjetuar edhe tensione në marrëdhëniet tona", tha Çavuşoğlu.
Ndër të tjera ai ka shprehur besimin se këto probleme mund të zgjidhen nëpërmjet dialogut, dhe ka vënë në dukje se presidenti Recep Tayyip Erdoğan vazhdon kontaktet me presidentin amerikan Donald Trump ku dhe vizita e fundit e kryeministrit Binali Yıldırım në SHBA ka qenë e frytshme.
Çavuşoğlu, në prezantimin e tij për buxhetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për vitin 2018 ka thekuar gjithashtu se FETO është shpallur organizatë terroriste në shumë institucione ndërkombëtare dhe madje disa prej tyre e kanë përjashtuar dhe se janë duke vazhduar punimet për të parandaluar fushatat e njollosjes së kësaj organizate terroriste.
"Si rezultat i punimeve tona tashmë anëtarëve të FETO-s u është dhënë urdhëri ‘Mos dilni nga zona Schengen‘. Edhe në Afrikë janë bërë paralajmërimet ‘që të mos dalin nga disa vende‘. Pra, e shohim qartë se në cilat vende mbrojnë FETO-n në zonën Schengen dhe se cilat vende kjo organizatë i ka zgjedhur në Afrikë si baza", deklaroi Çavuşoğlu në lidhje me çështjen e FETO-s.