TIRANË (AA) - Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) me mbështetjen e Entitetit të Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave në Shqipëri (UN Women Albania) po organizojnë në Tiranë "Konferencën Rajonale mbi Statistikat Gjinore në Shqipëri”, raporton Anadolu Agency (AA)
Qëllimi i konferencës dy ditore është vënia në fokus e barazisë gjinore, duke siguruar një pamje të qartë të situatës aktuale në Shqipëri, përmes të dhënave statistikore të realizuara nga INSTAT, ndërkohë që janë publikuar edhe gjetjet kryesore të studimit të realizuar nga ky institucion.
Sipas studimit të kryer nga INSTAT, popullsia banuese në Shqipëri më 1 janar 2013 ka një shpërndarje gjinore 49,7% femra dhe 50,3% meshkuj, ndërsa në zonat urbane jetojnë më shumë femra se meshkuj (50,9% kundrejt 49,1%).
Sipas Institutit të Statistikave në vitin 2013 rezulton se kemi rreth 16 divorce për 100 martesa, krahasuar me 10 divorce për 100 martesa në vitin 2001, ndërkohë që numri i martesave për 1.000 banorë ka mbetur pothuajse i njëjtë. Kryefamiljaret femra zënë 12% deri 14% të Njësive Ekonomike Familjare, bazuar në Anketat e Matjes së Nivelit të Jetesës (2002, 2005, 2008, 2012).
Bazuar në të dhënat e Censusit 2011, gratë janë ato që kanë migruar më shumë brenda vendit sesa burrat, duke përbërë 59% të migrantëve të brendshëm. Emigracioni sërish dominohet nga meshkujt, por diferenca meshkuj-femra ka pësuar një ulje të ndjeshme nga periudha mes Censuseve 1989-2001 me atë 2001-2011. Bazuar në Anketën e Migrantëve të Kthyer, kthimi nga emigracioni dominohet nga meshkujt. Ata zënë rreth 74% të të kthyerve nga viti 2009-2013. Më shumë se 50% e femrave të kthyera nga emigracioni synojnë të qëndrojnë në vend, ndërkohë vetëm 34% e meshkujve janë përgjigjur të kenë këtë synim.
Sa i përket arsimimit në fund të vitit akademik 2012-2013 për herë të parë meshkujt kanë tejkaluar numrin e femrave që u diplomuan në shkollën e mesme, që prej vitit 2008. Femrat që kanë marrë diplomë të mesme në shkollat profesionale kanë një rritje të ndjeshme nga 4,2% në vitin 2008 në 10,1% në vitin 2013. Në vitin 2013 meshkujt dominojnë stafet mësimdhënës më të kualifikuar si profesor me 71% kundrejt 29% femra. Ndërsa përsa i përket meshkujve me titull “Doktor”, nga 44% që ishin në vitin akademik 2010-11, në vitin 2013 u rriten në 53% . E kundërta ka ndodhur me femrat: nga 56% që ato zinin në vitin akademik 2010-11, në vitin 2013 ato zënë 47%. Në vitin 2013 femrat kryesojnë tek docentët dhe pedagogët pa tituj me 62%.
Konferenca u hap nga Drejtori i INSTAT, Gjergji Filipi dhe merrnin pjesë zyrtarë të lartë; si Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë Erion Veliaj, Përfaqësuesi i UN Women për Shqipërinë David Saunders, përfaqësues nga Ministria e Jashtme. Në këtë konferencë dy ditore do ketë pjesëmarrje të ekspertëve nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore. Konferenca organizohet në kuadër të aktiviteteve të Proçesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku Shqipëria ka kryesinë për periudhën Qershor 2014 - 2015.