Sibel Vezaj
20 Qershor 2016•Përditësim: 20 Qershor 2016
PRISHTINË (AA)- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot u takua me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Jacques Miniane, me të cilin bisedoi rreth zhvillimeve aktuale në sektorin financiar e buxhetor në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Kuvendi i Kosovës thuhet se Miniane e ka njohur kryetarin Veseli me opinionin e tij lidhur me qëndrueshmërinë financiare të Kosovës në raport me vendet e tjera të rajonit. Ai theksoi se kjo qëndrueshmëri duhet të ruhet dhe duhet shtuar kujdes për shpenzimet e paplanifikuara, të cilat mund të kenë implikime financiare në raport me zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndërkohë Veseli falenderoi Miniane për kontributin e FMN-së për ruajtjen e qëndrueshmërisë makro-financiare të vendit dhe stabilitetit buxhetor, duke theksuar edhe përkushtiminin e institucioneve vendase, lokale dhe qendrore.
Ai duke vënë në dukje që në Republikën e Kosovës buxheti duhet të jetë i ndikuar fuqishëm nga prodhimi dhe punësimi u shpreh se "Qëndrueshmëria buxhetore dhe rritja e vazhdueshme ekonomike, është synim parësor".
Kreu i Kuvendit të Kosovës gjithashtu shprehu interesimin për ta vazhduar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet e tjera financiare edhe në të ardhmen, në funksion të ruajtjes së stabilitetit fiskal të vendit.