Fatjon Cuka
12 Dhjetor 2016•Përditësim: 13 Dhjetor 2016
TIRANË (AA) - Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Republikës së Shqipërisë organizon në Tiranë konferencën dy ditore me temë: “Dhjetë vjet tregti e lirë- Sfidat dhe Perspektiva”, në kuadër të 10-vjetorit të marrëveshjes së tregtisë së lirë (CEFTA), raporton Anadolu Agency (AA).
Konferenca në fjalë është hapur sot nëpërmjet një aktiviteti ku merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, diplomatë, deputetë, ekspertë të ekonomisë, etj.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, gjatë fjalës përshëndetëse u shpreh se Shqipëria ka nënshkruar më vitin 2006 marrëveshjen e CEFA-s, duke u bërë pjesë e saj.
"Në rrugën tonë për të konsoliduar ekonominë e tregut po përpiqemi të bëjmë funksionale të gjitha instrumentet e demokracisë dhe të bëjmë funksionale ekonominë e tregut e cila lejon dhe nxit një ekonomi dhe klimë të mirë biznesi. Në kuadër të integrimit rajonal Shqipëria fillimisht është përfshirë në marrëveshjen e tregtisë së lirë me vendet e Evropës Juglindore dhe më pas kur u nënshkruar në vitin 2006 marrëveshjen e CEFA-s ku u bë pjesë e saj. Parimet që udhëheqin këtë lloj bashkëpunimi janë parime që derivojnë nga Organizata Botërore e Tregtisë, por edhe nga BE", është shprehur Ekonomi.
Sipas saj Ballkanin Perëndimor kohët e fundit ka filluar të shfaqë një forcë solidariteti dhe bashkëpunimi për të shkuar përpara në rrugën e integrimit.
"Për ne shqiptarët procesi i integrimit është mekanizimi më i mirë për të ndërtuar një Shqipëri që ka standarde", ka shtuar më tej ministrja Ekonomi.
Pjesë e konferencës ishin edhe ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian në Kuvendin e Shqipërisë, Majlinda Bregu, përfaqësues të Delegacionit të BE-së dhe Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë.