Ekonomi

Shkup, mbahet konferenca evropiane "ndërmjetësimi dhe biznesi"

Në konferencë morën pjesë ekspertë të ndërmjetësimit nga më shumë vende të cilët nënshkruan edhe memorandum për bashkëpunim dhe mirëkuptim

Abdula Berisha  | 18.04.2019 - Përdıtësım : 19.04.2019
Shkup, mbahet konferenca evropiane "ndërmjetësimi dhe biznesi"

Shkup

Sot në Shkup është mbajtur konferencë evropiane për ndërmjetësim, në të cilën morën pjesë ekspertë të ndërmjetësimit nga më shumë vende të cilët nënshkruan memorandum për bashkëpunim dhe mirëkuptim, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca është organizuar nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM), Odës së ndërmjetësve dhe Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në vend, ndërsa të pranishëm ishin ekspertë të ndërmjetësimit nga Holanda, Italia, Zvicra, Rumania, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia dhe Greqia.

Në hapjen e konferencës, përpos kryetarit të Odës për ndërmjetësim, Sllave Mlladenovski, të pranishmëve iu drejtuan edhe ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ministri pa resor Zoran Shapuriq, kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Danela Arsovska, si dhe ambasador i Mbretërisë së Holandës në Shkup, Wouter Plomp.

Ministrja Deskoska tha se ndërmjetësimi mundëson zgjidhje të kontesteve në mënyrë të shpejtë dhe efikase.

“Zhvillimi dhe mbështetja e ndërmjetësimit është pjesë e strategjisë së reformave në drejtësi. Mbështetja nënkupton promovimin e ndërmjetësimit dhe gjithsesi tejkalimin e mangësive ligjore që ekzistonin deri tani”, tha Deskoska, duke shtuar se qeveria ka përgatitur ligj të ri i cili pas zgjedhjeve do të jetë në procedurë parlamentare.

Kryetari i Odës për ndërmjetësim, Mlladenovski, tha se miratimi i ligjit të parë për ndërmjetësim në vitin 2006 nuk i dha rezultatet e pritura, por theksoi se pas themelimit të Odës për ndërmjetësim në vitin 2017, janë shënuar rezultate pozitive.

“Kjo konferencë në fakt demonstron se Oda e ndërmjetësve të Republikës së Maqedonisë së Veriut seriozisht është marrë me zhvillimin e ndërmjetësimit, para së gjithash në interes të biznesit”, tha Mlladenovski.

Në kuadër të konferencës së titulluar “Me rritjen e ndërmjetësimit rritet biznesi” janë mbajtur disa panel diskutime ku përpos ekspertëve, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve dhe afaristë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.