Ivana Ramadanova
25 Tetor 2017•Përditësim: 26 Tetor 2017
SHKUP (АА) – Duke filluar prej sot deri më 29 tetor në VIP arenën e Qendrës sportive “Boris Trajkovski” në Shkup, të pasionuarit e teknologjisë do të mund të vizitojnë Panairin e 43-të Ndërkombëtar – "Tehnoma 2017" dhe Ekspozitën e 37-të ndërkombëtare të inovacioneve – "MAKINOVA 2017", raporton Anadolu Agency (AA).
Skema programore e prezantimit të sivjemë të panairit është e pasur dhe përfshinë më shumë degë industriale, ashtu që prodhues të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj vendor dhe të huaj nga sfera e metalurgjisë, elektroteknikës, energjetikës, jometaleve, ndërtimtarisë, sigurimit dhe mbrojtjes do të jenë pjesë e këtij manifestimi.
Në hapjen e panairit zëvendës-kryeministri për Çështje Ekonomike të Maqedonisë, Koço Angjushev, tha se rëndësia e këtij manifestimi për ekonominë e Maqedonisë është e madhe, ndërsa këtë e dëshmon edhe qëndrimi i manifestimit plot 43 vite.
“Qeveria e Maqedonisë do t’i mbështesë edhe më tej manifestimet e tilla dhe do të jetë e përkushtuar në mbështetjen e ekonomisë në tërësi, ndërsa ky manifestim është një pjesë e kësaj mbështetjeje në të cilën ne nuk marrim pjesë drejtpërdrejt, megjithatë me të gjitha kapacitetet që i kemi në të ardhmen do ta mbështesnim si manifestim”, tha Angjushev.
Gjatë pesë ditëve të panairit më shumë se 120 kompani në mënyrë indirekte do të prezantojnë mbi 60 pjesëmarrës direkt.
Në organizim të “Panairit të Shkupit” paralelisht me “Tehnoma” do të mbahet edhe Ekspozita e 37-të Ndërkombëtare e Inovacioneve – "MAKINOVA 2017”, ku kompanitë do t’i prezantojnë dhe promovojnë prodhimet dhe metodat e tyre inovative.
Tradicionalisht, në “Tehnoma 2017” do të prezantohen edhe ekonomitë nacionale të shumë vendeve, krahinave dhe rajoneve, ndërsa për rritjen e bashkëpunimit do të organizohen programe speciale dhe B2B takime.