Elena Teslova
24 Shkurt 2022•Përditësim: 25 Shkurt 2022
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë ishte një "masë e detyruar", raporton Anadolu Agency (AA).
"Ajo që po ndodh është një masë e detyruar. Nuk na mbeti zgjidhje për të vepruar ndryshe", tha Putin në takimin me afaristë rusë në Moskë, duke nënvizuar se kishte "rreziqe të tilla në fushën e sigurisë për të cilat nuk kishte mjete të tjera për të reaguar".
Ai tha se të gjitha përpjekjet e Rusisë për të adresuar çështjet e sigurisë kishin qenë të pafrytshme dhe nuk dhanë as "një milimetër" përparim, duke theksuar se Moska ishte përballur me rreziqe ekzistenciale.
Në lidhje me sanksionet perëndimore, Putin tha se Rusia mbetet një pjesë e ekonomisë globale dhe se nuk do ta dëmtojë këtë sistem derisa është brenda tij.
“Partnerët tanë duhet ta kuptojnë këtë dhe të mos vendosin si qëllim të na largojnë nga ky sistem”, vuri në dukje ai.
Ai u kërkoi përfaqësuesve të biznesit që të trajtojnë me mirëkuptim “çfarë po ndodh” dhe të punojnë me qeverinë në kërkim të mjeteve që do të mbështesin ekonominë dhe industrinë.
Sa i përket qeverisë, ai tha se detyra e saj kryesore do të jetë ofrimi i kushteve të favorshme dhe parashikueshmërisë për bizneset.
"Ne nuk mund të parashikojmë rreziqe gjeopolitike, por në marrëdhëniet midis qeverisë dhe biznesit, ju keni të drejtë të prisni parashikueshmëri", tha ai.
Duke shfaqur shqetësim, përfaqësuesit e biznesit u shprehën se shpresojnë që Rusia nuk do të mbyllet ndaj ekonomisë globale dhe u ankuan për sanksionet për të cilat thanë se e vështirësonin jashtëzakonisht punën e tyre.