Ivana Ramadanova
25 Prill 2018•Përditësim: 25 Prill 2018
SHKUP (АА) – Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, bashkë me ministren për Punë dhe Politikë Sociale, Milla Carovska, përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së, Luiza Viton dhe drejtoreshën e agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska, në një konferencë për mediat shpalosën Programin për Punësim 2018, ku dhe nënshkruan marrëveshjen për zbatimin e tij në vlerë prej 8.3 milionë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fokus të programit janë të rinjtë dhe kategoritë e cenueshme. Sipas kryeministrit Zaev, Qeveria e Maqedonisë bashkë me MPPS tashmë zbatojnë planin e ri operacional për vitin 2018, duke kombinuar masat dhe shërbimet, me qëllim të vetëm, lidhjen e kapaciteteve të personave të papunë me profilet e kërkuara nga biznesi.
"Lufta kundër papunësisë mbetet një sfidë e jona e përbashkët. Krijimi i vendeve cilësore të punës dhe qasje më e mirë ndaj punës bart me vete një potencial të jashtëzakonshëm për rritje të ekonomisë dhe krijimin e një shoqërie për të gjithë”, tha Zaev.
Përfaqësuesja Përhershme e UNDP-së, Luiza Viton, në adresimin e saj njoftoi se në kuadër të këtij programi është paraparë hapja e 980 bizneseve të vogla, nga të cilat 50 nga personat me hendikap, si dhe angazhimin e personave në rreth 50 komuna që do të merren me ndihmesën për të vegjlit, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit.
"Mungesa e vendeve cilësore të punës paraqet atë, të cilën ne në UNDP e shohim si sfidë për përparimin e vendit. Shkalla e papunësisë e cilat te të rinjtë sillet me 50 për qind, çon në largimin e përhershëm të tyre nga vendi dhe braktisjen e qyteteve dhe fshatrave”, tha Vinton.
Ministrja Carovska tha se programi do të duhet të përfshijë 16.269 të papunë nga të cilët 9.509 do të përfshihen drejtpërdrejtë në masat për punësim.
"Ky plan fokusohet në target-grupet, siç janë të rinjtë deri në 29 vjeç, të papunët afatgjatë, personat mbi 50 vjeç, romët dhe nënat kujdestare, si dhe grupet e tjera që nuk kanë qasje të barabartë në tregun e punës”, tha ajo.
Plani operativ është miratuar muajin e kaluar, ndërsa interesi është i jashtëzakonshëm, thonë zyrtarët, sidomos tek pjesa e subvencionimit që është projektuar të jetë 19.000 denarë për person.