Övünç Kutlu
14 Qershor 2022•Përditësim: 15 Qershor 2022
Platforma e këmbimit të kriptovalutave ‘Coinbase Global’ me bazë në SHBA ka bërë të ditur se për shkak të trazirave në shitblerjen e kriptovalutave do të reduktojë numrin e fuqisë punëtore për 18 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Duket se po hyjmë në një recesion pas një bumi ekonomik mbi 10-vjeçar. Një recesion mund të çojë në një dimër tjetër të kriptove dhe mund të vazhdojë për një periudhë të zgjatur”, tha Brian Armstrong, shefi ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i platformës ‘Coinbase Global’.
Armstrong tha se “në dimrat e kaluar të kriptove, të ardhura nga tregtimi i kriptovalutave ka rënë ndjeshëm.
“Është vështirë të parashikosh ekonominë ose tregjet. Ne gjithmonë planifikojmë për më të keqen në mënyrë që të mund ta operojmë biznesin në çdo mjedis”, shtoi Armstrong.
Ai theksoi se ‘Coinbase Global’ mbijetoi përmes “katër dimrave më të mëdha të kriptove”, por theksoi se “tregjet në rënie janë sfiduese për të lundruar dhe kërkojnë një mentalitet ndryshe”.
Siç tha shefi i platformës së këmbimit të kriptovalutave, vendimi i reduktimit të fuqisë punëtore është rezultat i nevojës për të menaxhuar shpenzimet dhe për të rritur efikasitetin.
Platforma ‘Coinbase Global’ në orët e para të tregut regjistroi një rënie prej 5,5 për qind të çmimit të aksioneve, respektivisht në 49,16 dollarë për aksion.
Më herët, çmimi i kriptovalutës ‘Bitcoin’ ra në 20.846 dollarë, niveli më i ulët në 18 muajt e fundit, ndërkohë që shitja në tregjet e kriptovalutave dhe të aksioneve globale vazhdon me frikën e recesionit që rrjedh nga rritja e normës së Rezervës Federale.