Ekip
12 Shkurt 2021•Përditësim: 12 Shkurt 2021
Bashkimi Evropian (BE) ka nënshkruar paketën e rimëkëmbjes prej 672,5 miliardë eurosh, e cila është paketa më e madhe stimuluese në historinë e bllokut evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kjo paketë e rimëkëmbjes synon rihapjen e ekonomisë evropiane pas krizës pandemike me koronavirusin e ri (COVID-19), duke drejtuar fondet e BE-së në ruajtjen e vendeve të punës dhe sistemeve të sigurimeve shoqërore, si dhe në investimet në kujdesin shëndetësor.
Akti u nënshkrua nga kryeministri portugez, Antonio Costa, në emër të vendeve anëtare të BE-së, pasi vendi kryeson presidencën e radhës me Këshillin e BE-së.
Në një konferencë për media pas ceremonisë së nënshkrimit, Costa tha se paketa e rimëkëmbjes është "vaksina për shpëtimin e jetëve dhe vitaminë për zhvillimin e ekonomisë".
Pas bllokimit njëvjeçar në negociata, liderët e BE-së dhe Parlamenti Evropian në muajin dhjetor arritën marrëveshjen për buxhetin e bllokut evropian në vlerë prej 1,8 trilion eurosh për periudhën e viteve 2021-2027. Marrëveshja përfshin një instrument të përkohshëm të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh, të quajtur "Brezi i ardhshëm i BE-së", si dhe buxhetin e zakonshëm afatgjatë.
Akti i nënshkruar sot mbi "Instrumentin e Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë" është pjesë e "Brezit të ardhshëm të BE-së", por i nevojitet një autorizim i veçantë sepse ndryshe nga pjesa tjetër e buxhetit të BE-së që kryesisht bazohet në kontributet e vendeve anëtare, për këtë Komisioni Evropian do të financojë fonde në vlerë prej 672,5 miliardë eurosh duke mbledhur para në tregjet financiare ndërkombëtare.
Skema ofron 360 miliardë euro kredi dhe 312,5 miliardë euro në grante për vendet anëtare të BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po ashtu ishte e pranishme në ceremoni, miratimin e stimulit të financuar nga komuniteti e quajti një "akt historik".
Von der Leyen tha se pret që organi ekzekutiv i BE-së të sigurojë kreditë dhe të fillojë transferimet këtë vit në vendet anëtare të BE-së.
Megjithatë, akoma mbetet që parlamentet e vendeve anëtare të ratifikojnë vendimin, i cili përfshin marrjen e garancisë për borxhin e përbashkët të BE-së përveç kontributeve kombëtare për buxhetin e BE-së.
Costa tha se presidenca portugeze pret që vendet e BE-së të ratifikojnë aktin deri këtë verë.