Tuba Onğun
28 Tetor 2022•Përditësim: 28 Tetor 2022
Inflacioni vjetor i konsumatorit në Francë ka shënuar një rekord të ri në muajin tetor për shkak të kostove më të larta të energjisë, ushqimit dhe mallrave të përpunuara, transmeton Anadolu Agency (AA).
Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Studimeve Ekonomike njoftoi se çmimet e konsumit janë rritur me 6,2 për qind në bazë vjetore në tetor, duke u përshpejtuar nga niveli më i ulët në katër muaj prej 5,6 për qind në shtator.
Kjo është rritja më e madhe vjetore që nga qershori i vitit 1985.
Çmimet e energjisë shënuan një rritje vjetore prej 19,2 për qind në tetor kundrejt 17,9 për qind një muaj më parë. Çmimet e ushqimeve u rritën me 11,8 për qind në bazë vjetore në tetor dhe të mallrave të përpunuara me 4,2 për qind.
Në bazë mujore, Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 1 për qind në muajin tetor, pas rënies me 0,6 për qind në shtator.