Agon Fehmiu
15 Shkurt 2016•Përditësim: 16 Shkurt 2016
PRISHTINË (AA) – Sot në Prishtinë është hapur Panairi i Punës i organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, përmes të cilit, kompanitë dhe bizneset pjesëmarrëse në panair ofrojnë mbi 500 vende të reja pune, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rreth 50 biznese nga Kosova, pjesëmarrëse të këtij panairi kanë prezantuar kërkesat e tyre për të interesuarit për punë, në fusha të ndryshme.
Nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili mori pjesë në ceremoninë e hapjes, ky panair u cilësua si mundësi e veçantë për punësimin e të rinjve në Kosovë, por edhe për punësim të përkohshëm jashtë vendit, ku do të ndikohet në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Kemi nevojë të hapim vende të reja të punës, të bëjmë progres në zhvillimin ekonomik, të kemi një bashkëpunim shumë më të afërt me odat ekonomike të cilat po tregohen shumë aktive dhe shumë të orientuara në këtë proces, dhe të arrijmë që të plotësojmë kërkesat e qytetarëve tanë, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës”, tha kryeministri Mustafa.
Një nga organizatorët e panairit, Arian Zeka, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi nëse janë në kërkim të një vendi të punës.
“Ofrohen mbi 500 vende të punës vetëm brenda territorit të Kosovës , dhe një numër tjetër i vendeve të punës, të cilat ofrohen nëpër shtetet e jashtme. Meqenëse ne gjithmonë e konsiderojmë rininë si njërin prej aseteve kryesore për zhvillimin ekonomik të këtij vendi, atëherë natyrisht që promovojmë punësimin brenda Kosovës. Është një moment i mirë që në përvjetorin e 8 të Pavarësisë së Kosovës të promovojmë edhe mundësi punësimi, edhe mundësi shprese në të njëjtën kohë” tha Zeka.