Ayhan Şimşek
15 shkurt 2023•Përditësim: 15 shkurt 2023
Sindikata gjermane ka thënë se do të organizojë një "grevë paralajmëruese" në aeroportet më të ngarkuara të vendit të premten lidhur me mosmarrëveshjen e vazhdueshme rreth pagave dhe kushteve të punës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në faqen e saj të internetit të mërkurën, Ver.di tha se greva njëditore e stafit, punonjësve të shërbimit publik dhe të sigurisë së aviacionit do të fillojë në orët e para të së premtes dhe do të vazhdojë deri në mbrëmje.
Anëtarët e Ver.di që punojnë në shtatë aeroporte, duke përfshirë aeroportin më të ngarkuar në vend, atë të Frankfurtit, do të ndalojnë së kryeri detyrat e tyre të premten, sipas deklaratës.
Ndërprerje të mëdha dhe vonesa të fluturimeve priten gjithashtu në aeroportet e Bremenit, Dortmundit, Hamburgut, Hanoverit, Mynihut dhe Shtutgartit.
Ndërkohë, Ver.di tha se do të marrë masat e nevojshme për të siguruar që dërgimi i ndihmave humanitare në Türkiye dhe Sirinë e goditur nga tërmeti të mos ndikohet nga greva.
Sindikata po zhvillon aktualisht negociata me punëdhënësit e sektorit publik në nivel federal dhe vendor, kurse raundi tjetër i negociatave është planifikuar për 22-23 shkurt.
“Punonjësit bashkërisht po ushtrojnë presion mbi punëdhënësit sepse nuk është arritur asnjë rezultat në negociatat e mëparshme”, tha në një deklaratë nënkryetarja e sindikatës Christine Behle.