Ekonomia gjermane tkurret 2.2 për qind në tremujorin e parë
Rënia në periudhën janar-mars ishte më e madhja që nga viti 2009

Berlin
Ekonomia gjermane u tkurr me 2.2 për qind në tremujorin e parë të këtij viti në krahasim me periudhën e mëparshme tremujore, pas masave bllokuese në vend dhe më gjerë që filluan kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Shifrat nga Zyra Federale e Statistikave ofruan një pamje të parë të dëmit të shkaktuar nga kriza e koronavirusit në ekonominë më të madhe të Evropës, të cilën qeveria po përpiqet ta kufizojë me një varg programesh shpëtimi.
Rënia në periudhën janar-mars ishte më e madhja që nga viti 2009.
Marsi ishte muaji në të cilin pandemia e koronavirusit goditi Evropën, së pari Italinë dhe vendet e tjera duke imponuar kufizime gjithëpërfshirëse në jetën publike dhe bizneset.
Vetë Gjermania filloi masat kufizuese në mes të marsit. Asnjëherë nuk urdhëroi mbylljen e fabrikave, por kompanitë e ndaluan kryesisht prodhimin në disa zona.
Të dhënat e fundit treguan një ulje prej 15.6 për qind ndër muaj në porositë e fabrikave në mars dhe një rënie prej 9.2 për qind të prodhimit industrial.
Vendi filloi të zbusë masat kufizuese më 20 prill, ndërsa procesi ka marrë hov kohët e fundit. Dyqanet tani janë rihapur, restorantet po hapen gradualisht dhe prodhimi i automjeteve ka rifilluar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.