Ekonomi

"Ekonomia e Shqipërisë ka pasur një ecuri relativisht solide"

Ekonomia shqiptare ka qenë relativisht rezistente ndaj goditjeve të ofertës në tregun e huaj dhe rritja ekonomike në vend shënoi nivelin 6 për qind në tremujorin e parë, punësimi u rrit me 3,4 për qind dhe shkalla e papunësisë zbriti në 11,3 për qind

Fatjon Cuka  | 11.08.2022 - Përdıtësım : 12.08.2022
"Ekonomia e Shqipërisë ka pasur një ecuri relativisht solide"

Tiranë

Ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri relativisht solide në gjysmën e parë të vitit 2022, diktuar nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve të sektorit privat, si dhe i eksportit të mallrave dhe shërbimeve, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Raporti i Politikës Monetare i prezantuar sot, kishte në fokus të dhënat për inflacionin, rritjen ekonomike, punësimin dhe rreth faktorëve të rritjes së çmimeve.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në fjalën e tij gjatë prezantimit të raportit tha se konflikti ushtarak në Ukrainë, sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, si dhe problemet me zinxhirët e prodhimit e të tregtisë, janë pasqyruar në rritje të shpejta të çmimeve të ushqimeve, produkteve energjetike, kostove të transportit dhe lëndëve të para.

Sipas tij, këta faktorësh kanë sjellë rritje të shpejtë të inflacionit në gjithë globin, duke shtuar se edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga realiteti botëror.

Sipas raportit, ekonomia shqiptare ka qenë relativisht rezistente ndaj goditjeve të ofertës në tregun e huaj dhe se rritja ekonomike në vend shënoi nivelin 6 për qind në tremujorin e parë, punësimi u rrit me 3,4 për qind dhe shkalla e papunësisë zbriti në 11,3 për qind.

Më tej theksohet se rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka sjellë një rritje progresive të inflacionit në gjashtëmujorin e parë në Shqipëri, duke kulmuar në nivelin 7,4 për qind në muajin qershor.

Nga ana tjetër, rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë rritjen e prodhimit, të shitjeve, të punësimit e të pagave, sipas raportit, duke ndihmuar buxhetin e familjeve dhe biznesin shqiptar.

"Situata ekonomike pritet të jetë veçanërisht e vështirë për Eurozonën, për shkak të varësisë së madhe ndaj gazit rus, tensioneve politike në Itali dhe diferencave ekonomike të vendeve anëtare. Implikimet e këtij mjedisi për ekonominë shqiptare pritet të jenë në trajtën e presioneve të larta inflacioniste dhe mbështetjes më të pakët ekonomike", thuhet në raport.

Më tej thuhet se rritja e ekonomisë parashikohet të mbetet në territor pozitiv gjatë tremujorëve në vijim, por theksohet se pritet të shfaqet më e ngadaltë në të ardhmen.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın