Gökhan Ergöçün
18 Prill 2022•Përditësim: 18 Prill 2022
Ekonomia e Kinës është rritur për 4,8 për qind në nivel vjetor në 27 trilionë juanë (4,25 trilionë dollarë) në tremujorin e parë të vitit, sipas të dhënave zyrtare të përkohshme të publikuara sot, raporton Anadolu Agency (AA).
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i vendit gjithashtu u rrit me 1,3 për qind nga tremujori i kaluar.
Pavarësisht rritjes së rasteve të COVID-19 dhe mjedisit kompleks ndërkombëtar, Kina arriti një rimëkëmbje të qëndrueshme ekonomike falë vendimeve dhe masave të zbatuara në mënyrë rigoroze, tha Byroja kombëtare e statistikave.
Gjatë periudhës janar-mars, sektori i bujqësisë në vend u zgjerua me 4,8 për qind "me kushte përgjithësisht të favorshme moti dhe shërbime më të forta të prodhimit bujqësor".
Prodhimi i mishit u rrit me 8,8 për qind, qumështit me 8,3 për qind dhe vezëve me 2,5 për qind, treguan të dhënat.
Nga ana e industrisë, sektori u rrit me 6,5 për qind në nivel vjetor në tremujorin e parë.