Fatjon Cuka
11 Maj 2017•Përditësim: 12 Maj 2017
TIRANË (AA) - Banka Qendrore e Republikës së Shqipërisë, sot ka prezantuar raportin e dytë tremujor të politikës monetare për vitin 2017, ku theksohet se ecuria e aktivitetit ekonomik në vend është pozitive dhe pritjet e këtij institucioni janë për vijimin e kësaj tendence. Rritja ekonomike për gjithë vitin 2016 rezulton 3.5 për qind, raporton Anadolu Agemcy (AA).
Sipas këtij raporti, të dhënat e reja ekonomike dhe financiare tregojnë një përshpejtim të rritjes ekonomike dhe një përmirësim të balancave kryesore makroekonomike gjatë fundit të vitit 2016 dhe fillimit të vitit 2017.
Inflacioni në Shqipëri ka ardhur në rritje në tremujorin e parë të vitit 2017, duke shënuar një vlerë mesatare prej 2.4 për qind.
Zhvillimet ekonomike e financiare sipas raportit konfirmojnë trendin rritës të ekonomisë në Shqipëri. "Ecuria e aktivitetit ekonomik është pozitive dhe pritjet tona janë për vijimin e kësaj tendence në afatin e mesëm. Stimuli monetar vlerësohet të jetë i mjaftueshëm për të mbështetur rritjen e ekonomisë drejt ekuilibrit dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2018. Politika monetare do të vazhdojë të mbetet stimuluese, por intensiteti i stimulit monetar do të përshtatet me nevojat e ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë", thuhet ndër të tjera në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa aktiviteti ekonomik është përshpejtuar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar dhe Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me 4 për qind në nivel vjetor.
Ndërkohë, rreziqet në aktivitetin ekonomik sipas raportit janë të lidhura me situatën politike në disa vende të Bashkimit Evropian dhe tensionet gjeopolitike. "Efektet e këtyre rreziqeve mund të prekin edhe ekonomitë e vogla të rajonit, të cilat janë rritur me ritme të qëndrueshme. Rritja ekonomike e tyre pritet të përmirësohet gjatë vitit 2017, e nxitur më së shumti nga kërkesa e brendshme", thuhet në raport.