Bahattin Gönültaş
04 Maj 2016•Përditësim: 05 Maj 2016
ANTALIA (AA) – Ministri turk i Bujqësisë, Blegtorisë dhe Ushqimit, Faruk Çelik, deklaroi se qasja te ushqimi është çelësi për vendosjen e paqes në botë dhe se Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) ka një mision të rëndësishëm për të luftuar urinë në botë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjen e konferencës rajonale treditore të FAO-s për Evropën që po mbahet në Antalia, Çelik tha se bota sot nuk ka ushqim të mjaftueshëm të ushqejë banorët në 34 shtete të botës, nga të cilat 27 gjenden në Afrikë.
“Rreth 500 milionë njerëz vuajnë nga obeziteti në botë, ndërsa rreth 800 milionë të tjerë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Çdo vit në nivel botëror shkatërrohet 1.3 miliardë ton ushqim. Nëse do të ulnim shkatërrimin e ushqimit do të mund të zgjidhnim problemin me urinë në botë. Në botën të cilës po i rritet numri i banorëve, detyrë kryesore e pushtetit duhet të jetë që të mundësojë për qytetarët qasje të lirë dhe të lehtë te ushqimi”, tha Çelik.
Duke bërë thirrje për të pranuar implementimin e projekteve të Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm, Çelik tregoi se tragjeditë humanitare siç është ajo e Sirisë do të tejkalojnë kufijtë e kontinenteve dhe do të kërcënojnë paqen në botë. Ai tha më tej se Turqia në nivel vjetor prodhon produkte bujqësore në vlerë prej 55 miliardë dollarë që e bënë vendin e parë në Evropë dhe të shtatin në botë.