Agim Sulaj
22 Dhjetor 2022•Përditësim: 23 Dhjetor 2022
Mijëra serbë lokalë që jetojnë në Kosovë kanë protestuar në Rudarë të Zveçanit prapa barrikadës së vendosur në rrugën që çon në pikën kufitare të Kosovës me Serbinë, në Jarinje, raporton Anadilu Agency (AA).
Një flamur dhjetëra metra i gjatë i Serbisë u shpalos në fillim të protestës bashkë me disa mesazhe dhe flamuj tjerë të vegjël.

"Nga këtu, nuk ka prapa", "Nuk e kam lindur djalin për snajperin e Kurtit" dhe të tjera mesazhe u shfaqën nga protestuesit që u mblodhën te lokacioni i njohur si "Kryqi".
Në protestë morën pjesë serbë nga komuna të ndryshme të Kosovës, derisa të pranishëm kanë qenë edhe anëtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, me në krye kryetarin e kësaj partie, Goran Rakiq.
Para të pranishmëve, Rakiq tha se populli serb në Kosovë përjeton terror çdo ditë nga ana e Prishtinës zyrtare, ku sipas tij ka edhe arrestime të pa baza.
Sipas Rakiqit, ekziston edhe një listë sekrete me emrat e serbëve në veri të vendit në bazë të së cilës po planifikohen veprime tjera ndaj serbëve.
“Listat sekretë me emrat serbe tregojnë se si duket demokracia e Albin Kurtit. Bashkësia ndërkombëtare pengon barrikadat tona, por nuk pengojnë malltretimet e serbëve. Dua t’ju tregojmë se ne jemi këtu dhe nuk mund të heshtim ndaj padrejtësive”, theksoi Rakiq, duke shtuar se "zgjidhja për këtë krizë në të cilën jemi është në Prishtinë".
Ai tha se kërkesat e tyre janë që urgjentisht të lirohen serbët të cilët janë arrestuar, Milan Axhiq dhe Dejan Pantiq, të tërhiqen listat sekrete me emrat e serbëve të cilët kanë qenë pjesë në protestat e qytetarëve nga shtatori i vitit të kaluar deri më sot, si dhe të tërhiqet njësia speciale e policisë nga veriu dhe veturat e tyre, me garanci të KFOR-it që ata nuk do të vijnë më në veri dhe atëherë do të mund të largohen barrikadat në veri.
Predrag Pantiq, i biri i ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, që është arrestuar për sulm terrorist dhe sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës, ka falënderuar gjithë të pranishmit në tubim.

Dejan Pantiq akuzohet për sulm ndaj zyrave të komisionit komunal zgjedhor në veri, ku ishin sulmuar me shok-bomba edhe zyrtarët policorë dhe ata të Komisionoit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Këto barrikada nuk janë ngritur vetëm për shkak të babait tim. Babai im është pika e fundit në detin e lëvizjeve të njëanshme, arrestimeve dhe keqtrajtimeve të popullit serb. Ai ka jetuar gjithë jetën këtu, nuk ka asnjë të metë në karrierën e tij, asnjë njollë. Ai është fajtor vetëm sepse është serb”, tha Pantiq.
Në veri të Kosovës, sipas autoriteteve kosovare, aktualisht situata është e qetë derisa disa metra para barrikadës janë vendosur pjesëtarë të forcave hungareze të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) me dy automjete, si dhe disa patrulla të Misionit të Sundimit të Ligjit i Bashkimit Evropian (EULEX), përfshirë pjesëtarë të Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësia Policore e Specializuar Rezervë e EULEX-it nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë.
Barrikadat në veri të vendit në rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak u vendosën nga 10 dhjetori nga serbët lokalë si përgjigje ndaj arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq nga autoritetet e rendit në Kosovë, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Krerë të institucioneve të larta në Kosovë dhe përfaqësues të vendeve perëndimore kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave në veri të vendit për të mundësuar lëvizjen e lirë, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.