Turqia

Ushtria turke e gatshme për operacionin e tretë të paqes në Siri

Pas dy operacioneve të suksesshme në veri të Sirisë, "Mburoja e Eufratit" dhe "Dega e Ullirit", Turqia i ka përfunduar përgatitjet edhe për operacionin e tretë në lindje të Eufratit

Sarp Özer   | 08.10.2019
Ushtria turke e gatshme për operacionin e tretë të paqes në Siri

Ankara

Pas sukseseve në operacionet ndërkufitare "Mburoja e Eufratit" dhe "Dega e Ullirit", ushtria e Turqisë i ka përfunduar përgatitjet edhe për operacionin e planifikuar për në lindje të Eufratit në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Turqia, e cila vazhdon luftën kundër terrorizmit brenda dhe përtej kufijve të saj, më 24 gusht të vitit 2016 nisi operacionin antiterrorist "Mburoja e Eufratit" në veri të Sirisë për të neutralizuar terroristët, përfshirë ata të DEASH-it, të cilët kërcënonin sigurinë e saj, dhe për të garantuar sigurinë kufitare. Operacioni u zhvillua në korniza të së drejtës legjitime për vetëmbrojtje e cila buron nga neni 51 i Konventës së OKB-së.

Në ditën e parë të operacionit, Forcat e Armatosura Turke (TSK) çliruan qytetin Jarabulus, i cili gjendet në veri të Sirisë përballë qytezës Karkamış në provincën Gaziantep të Turqisë, ndërsa më 23 shkurt 2017 çliroi nga DEASH-i qytetin Al-Bab. Për një periudhë prej 217 ditësh, ushtria turke pastroi nga terroristët vendbanimet që shtriheshin në një sipërfaqe prej 2.055 kilometrash katrorë midis këtyre dy qyteteve.

Ushtria e Turqisë, e vetmja brenda koalicionit që luftonte ballë për ballë me organizatën terroriste DEASH përmes operacionit "Mburoja e Eufratit", arriti që brenda shtatë muajve të neutralizojë mbi 3.000 pjesëtarë të këtij grupi terrorist. Forcat turke, që filluan procesin e shpartallimit të DEASH-it, mundësuan që rajoni të shpëtojë nga ky kërcënim.

Pasi kryeministri i atëhershëm i Turqisë Binali Yıldırım më 29 mars të vitit 2017 njoftoi përfundimin e ofensivës, TSK dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) u fokusuan në vendosjen e sigurisë në rajon dhe krijimin e kushteve të nevojshme për kthimin e civilëve të zhvendosur si pasojë e terrorit.

Në këtë drejtim, detyrën filluan mijëra policë të vendit të trajnuar në Turqi. Turqia dha kontribute intensive edhe në fusha si shëndetësia, arsimi dhe shërbimet, duke synuar kthimin e normalitetit të jetës. Në saje të mbështetjes turke, popullsia e rajonit brenda tri viteve të kaluara që nga operacioni u afrua në dy milionë.

Qëllimi i radhës, foletë terroriste në Afrin

Pas suksesit në operacionin "Mburoja e Eufratit", synimi i dytë i Turqisë ishte eliminimi i foleve terroriste në rajonin e Afrinit në veriperëndim të Sirisë.

Me qëllimin për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në kufij dhe rajon, për të neutralizuar pjesëtarët e organizatave terroriste PKK/KCK/PYD-YPG dhe DEASH dhe për ta shpëtuar popullatën miqësore dhe vëllazërore të rajonit nga shtypja dhe tirania e terroristëve, TSK më 20 janar të vitit 2018 nisi operacionin "Dega e Ullirit".

Operacioni u fillua në përputhje me të drejtat e Turqisë që burojnë nga ligji ndërkombëtar, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me luftën kundër terrorizmit dhe të drejtën për vetëmbrojtje sipas nenit 51 të Konventës së OKB-së, ndërsa aktivitetet ushtarake u zhvilluan në korniza të "respektit ndaj integritetit territorial të Sirisë", njëlloj sikurse gjatë operacionit të mëparshëm "Mburoja e Eufratit".

Në kuadër të operacionit, ushtria e Turqisë neutralizoi mbi 4.500 terroristë dhe siguroi kontroll në një sipërfaqe prej 2.000 kilometrash katrorë, duke pastruar nga terroristët mbi 200 zona të banuara.

Pas përfundimit të suksesshëm të operacionit, u përshpejtuan punimet për të normalizuar jetën. Organizatat turke humanitare dorëzuan kuti me ndihma humanitare në çdo vendbanim të çliruar. Për shkak të sigurisë së ofruar nga njësitë e TSK-së dhe ULS-së, civilët që nga 20 marsi i vitit 2018 filluan të kthehen në shtëpitë e tyre. Brenda një viti, popullsia e Afrinit tejkaloi shifrën 350.000.

Turqia ofroi konsulencë dhe mbështetje në fushat si bujqësia, industria, tregtia, kultura, sporti, shëndetësia dhe arsimi për shtatë këshilla lokalë pas operacionit në Afrin. Me mbështetjen për themelimin e qeverisjeve lokale, popullata lokale filloi të menaxhojë vetë rajonin.

Forcat turke, që me sukses vazhdojnë luftën kundër organizatave terroriste, tani i kanë përfunduar punimet për një operacion të ri në lindje të Eufratit.

"Krijimi i Zonës së Sigurt/Korridorit të Paqes është esencial për sirianët që të kenë jetë të sigurt duke kontribuuar në stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë. Forcat e Armatosura të Turqisë asnjëherë nuk do të tolerojnë krijimin e korridorit të terrorit në kufijtë tanë. Të gjitha përgatitjet për operacionin janë kompletuar", tha ushtria e Turqisë në një njoftim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın