Turqia

Turqia përkujton tragjedinë e tatarëve të Krimesë të vitit 1944

Më 18 maj të vitit 1944, dhjetëra mijëra tatarë të Krimesë u dëbuan në Azinë Qendrore nga regjimi sovjetik i Joseph Stalin-it, i cili akuzoi ata për bashkëpunim me forcat pushtuese naziste

Sibel Uğurlu  | 18.05.2019 - Përdıtësım : 20.05.2019
Turqia përkujton tragjedinë e tatarëve të Krimesë të vitit 1944

Ankara

Turqia ka përkujtuar deportimin dhe spastrimin etnik të tatarëve të Krimesë, tragjedi që ndodhi 75 vjet më parë nga Bashkimi Sovjetik, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në natën e 17-18 majit të vitit 1944, afërsisht 250 mijë tatarë të Krimesë u detyruan të largohen nga atdheu i tyre. Dhjetëra mijëra tatarë të Krimesë u zhdukën nën rrethana çnjerëzore të këtij dëbimi që u krye 75 vjet më parë. Shumë prej tyre vdiqën në mërgim nën kushte të vështira me mall të madh për atdheun e tyre”, tha në një deklaratë me shkrim Hami Aksoy, zëdhënës i Ministrisë turke të Punëve të Jashtme.

Ai po ashtu përkujtoi 21 majin e vitit 1864, që shënon përvjetorin e tragjedisë së “Dëbimit të cirkasianëve” dhe tha se “dhimbja e madhe e kësaj tragjedie edhe sot është ende e gjallë”.

“Ne ndajmë dhimbjen e farefisit tanë, tatarëve të Krimesë, si dhe të vëllezërve të Kaukazit dhe me respekt kujtojmë ato që humbën jetën gjatë këtyre dëbimeve”, theksoi Aksoy.

Më 18 maj të vitit 1944, dhjetëra mijëra tatarë të Krimesë u dëbuan në Azinë Qendrore nga regjimi sovjetik i Joseph Stalin-it, i cili akuzoi ata për bashkëpunim me forcat pushtuese naziste.

Tatarët e Krimesë u dëbuan në rajone të ndryshme brenda territorit sovjetik, veçanërisht në Siberi dhe Uzbekistan. Pothuajse gjysma e të dëbuarve, të cilët rezistuan shumë muaj në kushte të tmerrshme të jetesës, mendohet se kanë vdekur nga uria dhe sëmundjet.

Dëbimi vazhdoi deri në vitin 1987, kur qeveria sovjetike lejoi 2.300 tatarë të Krimesë të kthehen në atdhe. Një grup tjetër prej 19.300 tatarë u kthyen në vitin 1988.

Rreth 1.5 milionë cirkasianë u dëbuan nga rajoni në lindje të Detit të Zi kur u pushtua nga Rusia në vitin 1864. Rreth 500 mijë besohet se kanë vdekur.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın