Turqia

"Turqia nuk do t'i braktisë vëllezërit libianë në mëshirën e puçistëve"

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri libian Fayez al-Sarraj zhvilluan takim në Ankara për të diskutuar situatën në Libi dhe bashkëpunimin midis dy vendeve

Mehmet Tosun  | 04.06.2020 - Përdıtësım : 05.06.2020
"Turqia nuk do t'i braktisë vëllezërit libianë në mëshirën e puçistëve" ( Murat Kula - Anadolu Agency )

Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij asnjëherë nuk do ta braktisë Libinë "në mëshirën e puçistëve dhe legjionarëve", duke iu referuar komandantit të forcave jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftar, dhe mbështetësve të tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me kryeministrin libian Fayez al-Sarraj në Ankara, Erdoğan deklaroi se Turqia dhe Libia planifikojnë ta avancojnë bashkëpunimin në Mesdheun Lindor, përfshirë edhe hulumtimet dhe aktivitetet e sondimit për të përfituar nga burimet natyrore.

"Përkundër sulmeve të liga nga puçisti Khalifa Haftar, qeveria libiane ndërmori masat e nevojshme kundër pandemisë", tha Erdoğan për luftën e Libisë me COVID-19.

"Historia do t'i gjykojë ata që e përmbytën Libinë në gjak dhe lotë duke e mbështetur puçistin Haftar", shtoi ai.

Turqia do të qëndrojë pranë qeverisë Sarraj dhe do të vazhdojë të bëjë përpjekje në të gjitha platformat ndërkombëtare për një zgjidhje të drejtë dhe të ligjshme në Libi.

Nga ana tjetër, kryeministri i Libisë tha se e kanë falënderuar Turqinë "për qëndrimin e saj historik dhe të guximshëm për Libinë".

Duke iu referuar luftës së qeverisë libiane kundër liderit të forcave jolegjitime Khalifa Haftar dhe militantëve besnikë të tij, Sarraj tha: "Ne do të vazhdojmë luftën tonë derisa të eliminojmë armikun në Libi".

Ai theksoi se qeveria e Libisë tani e tutje nuk do t'ia ofrojë mundësinë e negociatave Haftarit.

Sarraj po ashtu deklaroi se dëshiron që kompanitë turke të jenë të pranishme në Libi gjatë rindërtimit të vendit.

Gjatë konferencës për shtyp, presidenti turk i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalojë puçistin Khalifa Haftar nga shtija ilegale e naftës, që i përket popullit libian.

Qeveria e Libisë e njohur nga OKB-ja ka qenë nën sulm nga forcat e Haftarit që nga prilli i vitit 2019.

Në mars, qeveria nisi operacionin "Stuhia e Paqes" për të zmbrapsur sulmet mbi kryeqytetin dhe së fundmi ka rimarrë vendet strategjike, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya.

Libia është përfshirë nga lufta civile që nga rrëzimi i ish-udhëheqësit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re e Libisë u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate kanë dështuar për shkak të ofensivës ushtarake nga forcat e Haftarit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın