Turqia

Turqia kritikon sanksionet evropiane për shpimet në Mesdheun Lindor

Ministria e Jashtme turke thotë se tentimi i BE-së për të imponuar sanksione është i paligjshëm, i njëanshëm, i pavlefshëm dhe nuk do të pengojë në asnjë mënyrë Turqinë

Havva Kara Aydın  | 28.02.2020 - Përdıtësım : 02.03.2020
Turqia kritikon sanksionet evropiane për shpimet në Mesdheun Lindor

Ankara

Turqia ka kritikuar veprimin e Bashkimit Evropian (BE) për të vendosur sanksione ndaj dy zyrtarëve turq të naftës mbi eksplorimin e ligjshëm turk të energjisë në Mesdheun Lindor, duke e quajtur veprimin e BE-së "të paligjshëm" dhe të pavlefshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Miratimi i listës së sanksioneve nga BE kundër Turqisë më 27 shkurt, i cili përfshin emrat e dy zyrtarëve turq të naftës, është një shembull i ri i qëndrimit të saj të njëanshëm dhe të paligjshëm nën pretekstin e solidaritetit të unionit", thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

Në kumtesë theksohet se sanksionet "nuk kanë asnjë vlerë për ne dhe janë të pavlefshme", pasi shkelin ligjin ndërkombëtar dhe ligjin e BE-së.

Nga MPJ-ja turke thonë se tentimi i BE-së për të diktuar pretendimet maksimale të juridiksionit detar të Greqisë dhe Qipros Greke është i kotë, duke shtuar: "BE nuk mund të veprojë si një gjykatë ndërkombëtare. Ajo nuk mund të portretizojë zonat e juridiksionit që nuk kanë kufi dhe zonat e diskutueshme detare si kufij përfundimtar detar".

"Është për të ardhur keq të shohësh që BE akoma vazhdon të injorojë të drejtat e Turqisë dhe qipriotëve turq", thuhet në kumtesë, ku shtohet se "BE në vend të kësaj duhet të mbështesë dialogun dhe bashkëpunimin në Mesdheun Lindor".

Sanksionet "nuk do të ndikojnë në vendosmërinë e Turqisë për të mbrojtur të drejtat e veta dhe të qipriotëve turq në Mesdheun Lindor. Përkundrazi, kjo do të forcojë më tej vendosmërinë tonë", thonë nga ministria.

- Të drejtat e Turqisë në Mesdheun Lindor

Që nga pranvera e vitit të kaluar, anijet turke të shpimit filluan operacionet detare në brigjet e Qipros. Zonat hyjnë tërësisht brenda shelfit kontinental turk të regjistruara në OKB dhe në licencat e lejeve që qeveria turke në vitet e mëparshme ia dha kompanisë shtetërore të naftës, Turkish Petroleum.

Turqia dëshiron ta shohë energjinë si një nxitje për zgjidhjen politike në ishull dhe për paqe në pellgun e gjerë të Mesdheut, jo si një katalizator për tensione të mëtejshme.

Në muajin janar, administrata e Qiproja Greke lëshoi urdhra arrestimi për anëtarët e ekuipazhit të anijeve dhe zyrtarët e kompanive që bashkëpunojnë me Turkish Petroleum.

Në muajin nëntor, Ankaraja dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar të Libisë, e njohur nga OKB-ja, nënshkruan një pakt mbi kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Pakti siguroi të drejtat e Turqisë në Mesdheun Lindor përballë shpimit të njëanshëm nga administrata e Qipros Greke, duke sqaruar se Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) gjithashtu ka të drejta mbi burimet në zonë.

Pakti gjithashtu thekson se Ankaraja kishte fjalën e saj në projektet që e përfshijnë atë, pasi ajo ka vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe dhe se është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha vendet e rajonit, përveç administratës së Qipros Greke.

Turqia është një shtet garantues i TRNC-së dhe vazhdimisht ka kontestuar shpimet e njëanshme të administratës greke qipriote në Mesdheun Lindor, duke pohuar se edhe TRNC po ashtu ka të drejta mbi burimet në këtë zonë.

Në vitin 1974, pas një grusht shteti nga Greqia që synonte aneksimin e Qipros, Ankaraja duhej të ndërhynte si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua TRNC.

Dekadat që nga ajo kohë kanë parë disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros, por të gjitha të dështuara. Ajo e fundit e mbajtur me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, përfundoi në vitin 2017 në Zvicër.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın