Turqia

Turqia ka neutralizuar 44 terroristë në operacionet ndërkufitare që nga java e kaluar

Pas "sulmit të pabesë" të 8 janarit, Turqia filloi "operacionet ndëshkuese kundër terroristëve", deklaroi ministri i mbrojtjes

Sarp Özer   | 15.01.2022
Turqia ka neutralizuar 44 terroristë në operacionet ndërkufitare që nga java e kaluar

Ankara

Turqia ka neutralizuar 44 terroristë në operacionet ndërkufitare antiterroriste që nga sulmi i javës së kaluar që la të vdekur tre ushtarë, njoftoi ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në përgjigje të pyetjes nga AA mbi operacionet e nisura pasi tre ushtarë turq u vranë nga shpërthimi i një mjeti të improvizuar, Akar tha se "Pas sulmit të pabesë, ne filluam operacionet ndëshkuese kundër objektivave të zbuluara" në zonën e operacionit "Burimi i Paqes" në veri të Sirisë, duke shtuar se "44 terroristë u neutralizuan" si rezultat i operacioneve.

Tre ushtarë turq u vranë kur një bombë e vendosur nga terroristët shpërtheu më 8 janar në rrethin Akçakale të provincës juglindore Şanlıurfa pranë kufirit të Turqisë me Sirinë.

Megjithëse Ministria e Mbrojtjes Kombëtare nuk zbuloi se cila organizatë terroriste kreu sulmin, Akçakale shtrihet pranë zonave në veri të Sirisë ku është i pranishëm grupi terrorist YPG/PKK.

Autoritetet turke përdorin fjalën "të neutralizuar" në deklaratat e tyre që nënkupton se terroristët në fjalë ose janë dorëzuar, vrarë ose janë kapur.

Që nga viti 2016, Ankaraja ka nisur tre operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në Sirinë veriore për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e afro 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.