Turqia

"Turqia do të përgjigjet ndaj çdo provokimi në Mesdheun Lindor"

Kryediplomati turk po ashtu tha se "Franca duhet të distancohet nga çdo hap që do të krijonte tensione në Mesdheun Lindor"

Zuhal Demirci  | 14.08.2020 - Përdıtësım : 15.08.2020
"Turqia do të përgjigjet ndaj çdo provokimi në Mesdheun Lindor"

Ankara

Turqia do t'i përgjigjet çdo ngacmimi grek të anijes së saj kërkimore sizmike Oruç Reis në Mesdheun Lindor, paralajmëroi ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

"Greqia duhet të shmangë politikat maksimaliste në rajon”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij zviceran Ignazio Cassis në Bern.

Paralajmërimi erdhi në të njëjtën ditë me një takim të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së përmes videolidhjes me kërkesë të Athinës për çështjen e Mesdheut Lindor.

“Greqia duhet të sillet me mendje të shëndoshë. Greqia do të marrë përgjigje nëse bën përpjekje për të provokuar anijen tonë Oruç Reis”, tha shefi i diplomacisë turke.

Lidhur me deklaratën e Francës se do të rrisë praninë e saj ushtarake në rajon, Çavuşoğlu tha: "Franca duhet të distancohet nga çdo hap që do të krijonte tensione në Mesdheun Lindor".

Franca ka mbështetur përpjekjet e Greqisë për të hyrë në territorin detar të Ankarasë bazuar në ishuj të vegjël grekë afër brigjeve turke, duke shkelur interesat e Turqisë, vendit me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe.

"Ne jemi gjithmonë në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve përmes dialogut dhe zgjidhjeve paqësore”, tha Çavuşoğlu, duke përsëritur këmbënguljen e Ankarasë për një zgjidhje të favorshme për të gjitha palët bazuar në ndarjen e drejtë.

Këtë të hënë, Turqia njoftoi se anija e saj kërkimore Oruç Reis do të fillojë të kryejë kërkime të energjisë në Mesdheun Lindor.

Vendimi i Turqisë erdhi pas një marrëveshjeje të diskutueshme demarkimi të nënshkruar midis Greqisë dhe Egjiptit, duke shpërfillur gjestin e mëparshëm të vullnetit të mirë të Turqisë për të pezulluar kërkimet e energjisë në rajon.

Anija do të vazhdojë punën e saj në Mesdheun Lindor së bashku me anijet Cengiz Han dhe Ataman deri më 23 gusht.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın