Turqia

Turqia apelon për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve në veri të Sirisë

“Ne shfrytëzuam çdo mundësi, madje edhe duke rrezikuar jetën e ushtarëve tanë për të parandaluar shënjestrimin e regjimit dhe mbështetësve të tij në infrastrukturën civile”, tha ambasadori turk në OKB

Diyar Güldoğan   | 11.09.2019
Turqia apelon për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve në veri të Sirisë

Ankara

Turqia ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve në provincën veri-perëndimore Idlib të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një takim të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, ambasadori turk në OKB, Sadık Arslan, deklaroi se, “Ne shfrytëzuam çdo mundësi, madje edhe duke rrezikuar jetën e ushtarëve tanë për të parandaluar shënjestrimin e regjimit dhe mbështetësve të tij në infrastrukturën civile”.

“Nëse ato sulme nuk ndalen menjëherë, pasojat e tragjedisë humanitare në Idlib mund të jenë shumë më të mëdhaja se ato që u përjetuan në vitin 2015”, paralajmëroi ai.

Sipas OKB-së, gjatë katër muajve të fundit mbi 1 mijë civilë u vranë brenda dhe rreth zonës së de-eskalimit në Idlib, qytet për të cilën Turqia dhe Rusia shtatorin e kaluar ranë dakord për ta kthyer në zonë të de-eskalimit ku aktet e agresionit janë të ndaluara.

Megjithatë, regjimi sirian në mënyrë të përsëritur ka thyer kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës së de-eskalimit.

- Mianmari, një “shqetësim serioz” për Turqinë

Në adresimin e tij, Arslan po ashtu iu referua çështjeve të tjera kryesore rajonale dhe ndërkombëtare, duke veçuar Palestinën, Mianmarin dhe rajonin Xhamu dhe Kashmir të administruar nga India.

“Bllokimi çnjerëzor i pandërprerë nga Izraeli është pengesa më e rëndë për individët në Gaza për të gëzuar të drejtat e tyre themelore të njeriut”, theksoi Arslan.

Lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në Mianmar, Arslan tha se krimet e kryera kundër popullit Rohingya vazhdojnë të jenë një burim i “shqetësimit serioz” për Turqinë.

Ai po ashtu i bëri thirrje Indisë që të lehtësojë kufizimet në rajonin Xhamu dhe Kashmir të administruar nga India.

“Vendimi i qeverisë indiane për të shfuqizuar statusin e veçantë të Xhamu dhe Kashmirit është kundër frymës së rezolutave të ndryshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai vendim bart rrezikun e përkeqësimit të mëtejshëm të tensionit që tashmë ekziston dhe mund të ketë pasoja serioze përtej rajonit”, tha Arslan.

Ambasadori turk në OKB shtoi se Turqia dëshiron që çështjet midis Indisë dhe Pakistanit të zgjidhen me mjete paqësore.

Arslan po ashtu i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE) të përmbushë angazhimet e saj për ndarjen e barrës së imigracionit, mes kërcënimeve të një vale të re migracionit nga Idlibi, pasi Turqia strehon më shumë refugjatë se çdo vend tjetër në botë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın