Turqia

Turqi, filluan punimet për infrastrukturën e Qendrës së Përbashkët Operative

Në kuadër të zonës së sigurt që planifikohet të vendoset në mënyrë të koordinuar me SHBA në veri të Sirisë, janë duke vazhduar punimet për aktivizimin e Qendrës së Përbashkët Operative në qytetin turk Şanlıurfa

Muhammed Nuri Erdoğan  | 13.08.2019 - Përdıtësım : 14.08.2019
Turqi, filluan punimet për infrastrukturën e Qendrës së Përbashkët Operative

Ankara

Kanë filluar punimet për themelimin e infrastrukturës së Qendrës së Përbashkët Operative, për vendosjen e zonës së sigurt në veri të Sirisë, bashkë me një delegacion amerikan prej gjashtë personash, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e ministrisë turke thuhet se në kuadër të zonës së sigurt që planifikohet të vendoset në mënyrë të koordinuar me SHBA-të në veri të Sirisë, janë duke vazhduar punimet për aktivizimin e Qendrës së Përbashkët Operative në qytetin turk Şanlıurfa.

Më tutje, nga ministria thonë se bashkë me delegacionin amerikan prej gjashtë personash që kanë arritur në Şanlıurfa, kanë filluar punimet për themelimin e infrastrukturës, si dhe janë siguruar funksionet kritike në lidhje me të.

Bisedimet mes zyrtarëve të të dyja vendeve për themelimin e Qendrës së Përbashkët Operative u zhvilluan mes datave 5-7 gusht.

Në bisedime është arritur marrëveshje që masat që do të merren në fazë të parë për eliminimin e shqetësimeve të sigurisë së Turqisë të zbatohen sa më shpejt, në këtë kuadër në një kohë sa më të shpejt të krijohet edhe Qendra e Përbashkët Operative në Turqi për vendosjen e zonës së sigurt në veri të Sirisë, të koordinuar dhe menaxhuar bashkërisht.

Zyrtarët ushtarakë turq dhe amerikanë gjithashtu kanë rënë dakord që zona e sigurt të jetë një korridor i paqes dhe të merren të gjitha llojet e hapave shtesë që sirianët e zhvendosur të kthehen në vendet e tyre.

Turqia pret formimin e një zone të sigurt prej 32 kilometrash në veri të Sirisë dhe ka theksuar se dëshiron që grupi terrorist YPG/PKK të pastrohet në rajon.

YPG/PKK është dega siriane e grupit terrorist PKK, e cila për mbi 30 vite ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave në Turqi, përfshirë shumë fëmijë, gra dhe foshnje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.