Turqia

Tregtia mes Koresë dhe Turqisë do të rritet me shërbime dhe investime

Ambasadori korean në Ankara, Choi Hong-Ghi, theksoi se tregtia mes Turqisë dhe Koresë është duke ndjekur një trend në rritje

18.02.2019 - Përdıtësım : 19.02.2019
Tregtia mes Koresë dhe Turqisë do të rritet me shërbime dhe investime

Ankara

ANKARA (AA) - MERVE ÖZLEM ÇAKIR

Ambasadori i Koresë së Jugut në Ankara, Choi Hong-Ghi, tha se në periudhën e ardhshme presin që të jetë më aktive tregtia në fushat e shërbimit dhe investimeve me Turqinë.

Pasi Ministria e Tregtisë e Turqisë në mesin e vendeve të cilat i synon në tregtinë e jashtme e ka shtuar edhe Republikën e Koresë dhe nëse konsiderohen marrëdhëniet bilaterale në vazhdim, vëmendjet mes Turqisë dhe Republikës së Koresë janë kthyer tek zhvillimi ekonomik mes vendeve.

Në kuadër të Marrëveshjes së tregtisë së lirë të nënshkruar mes dy vendeve, më 1 maj 2013 kanë filluar të zbatohen "Marrëveshja kornizë" dhe "Marrëveshja për tregtinë e mallrave".

Ndërsa pasi që më 1 gusht të vitit 2018 "Marrëveshja për tregtinë e shërbimit" dhe "Marrëveshja për investime" kanë hyrë në fuqi, marrëveshja e tregtisë së lirë u shndërrua në një strukturë që do të zhvillojë edhe më tej marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Anadolu Agency (AA), ambasadori jugokorean Choi theksoi se tregtia mes Turqisë dhe Koresë së Jugut është duke ndjekur një trend në rritje që nga themelimi i marrëdhënieve diplomatike në vitin 1957.

Ai theksoi se vëllimi tregtar mes dy vendeve ka qenë 16 mijë dollarë në vitin 1965, ndërsa vitin e kaluar kjo shifër ka arritur në rreth 7.2 miliardë dollarë, duke shtuar se eksporti i Koresë në Turqi është 6 miliardë dollarë, ndërsa i Turqisë në Korenë e Jugut është 1.2 miliard dollarë. 

- "Turqia ka një zhvillim ekonomik në rritje"

Choi thekson se shkaku kryesor i dallimit në tregti është se struktura industriale e dy shteteve është e ndryshme. Ai theksoi se Turqia ka një zhvillim ekonomik në rritje, duke treguar se qeveria në Turqi vazhdimisht është duke ndjekur politikën e zhvillimit të industrisë.

"Parashikojmë që eksporti i Turqisë në Kore të rritet gradualisht me politikën e vazhdueshme të qeverisë për zhvillimin e industrisë. Eksporti i Turqisë në Kore vitin e kaluar ka shënuar një rritje prej 58,6 për qind në krahasim me një vit më parë", u shpreh ai.

"Është rënë dakord se në drejtim të madhësisë ekonomike të të dyja vendeve dhe potencialeve që kanë vëllimi aktual tregtar është i pamjaftueshëm dhe se është e mundshme që vëllimi në fjalë të rritet në 15 miliardë dollarë", tha mes tjerash ambasadori korean.

- "Më shumë tregti në fushat e shërbimit dhe investimit"

Ambasadori Choi, duke folur për një hulumtim të vitit të kaluar të Bordit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK), tha se Turqia në krahasim me Republikën e Koresë ka një konkurrencë të lartë në bujqësi, produktet ujore, materiale të papërpunuar dhe disa mallra të gatshme. Ai tha se në periudhën e ardhshme mund të rritet eksporti i këtyre mallrave në drejtim të Republikës së Koresë.

Ai gjithashtu rikujtoi marrëveshjet e arritur mes dy vendeve në gusht të vitit të kaluar.

"Pas kësaj periudhe presim që të jetë më shumë aktive tregtia në fushat e shërbimit dhe investimeve. Numri i koreanëve që vitin e kaluar ka vizituar Turqinë ka qenë 160 mijë, ndërsa numri i turqve që kanë vizituar Korenë ka qenë 30 mijë. Parashikojmë një rritje të vazhdueshme të koreanëve që do të vizitojnë Turqinë", theksoi Choi.

Choi, më tej tregoi se në samitin e zhvilluar mes dy vendeve në muajin maj të vitit të kaluar është biseduar për zhvillimin e bashkëpunimit në fusha si transport, infrastrukturë, energji dhe industria e mbrojtjes. 

- "Perceptimi pozitiv ndaj mallrave turke vazhdimisht shënon rritje"

Ambasadori jugokorean tha se shitja e produkteve elektronike në Korenë e Jugut të prodhuara në Turqi vazhdojnë duke u rritur. Ai tha se me hyrjen e shumë kompanive turke, të tilla si Beko në tregun korean, perceptimi pozitiv ndaj mallrave turke vazhdimisht ka shënuar rritje.

Ai në këtë kontekst tregoi se në rast se qeveria turke dhe institucionet përkatëse në lidhje me tregtinë e jashtme vazhdojnë punimet e tyre për promovimin e mallrave turke, perceptimi pozitiv për mallrat turke në Korenë e Jugut do vazhdojë të rritet.

"Elementet që bllokonin rritjen e tregtisë mes Koresë dhe Turqisë, vlerësojmë se janë zvogëluar shumë me marrëveshjen e tregtisë së lirë që ka hyrë në fuqi në vitin 2013", tha ai.

- "Shpresojmë që kompanitë koreane dhe turke të rriten së bashku"

Choi, i cili tërhoqi vëmendjen se investimi direkt i Koresë së Jugut në Turqi në vitin 2018 ka qenë rreth 2.9 miliardë dollarë, ndërsa i Turqisë në Kore të Jugut ka mbetur nën 100 milionë dollarë, tha se këto numra duhet të rriten.

Ai shtoi se kompanitë si Hyundai, LG, Posco janë duke vazhduar investimet e tyre, kontributi i tyre në çështjet si punësim dhe eksport është i madh, ndërsa banka koreane Eximbank ka financuar projekte të rëndësishme si Tuneli i Euroazisë, Ura e Çanakalasë si dhe spitali në qytetin Gaziantep.

"Shpresojmë që kompanitë koreane dhe turke të rriten së bashku", përfundoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.