Turqia

Trashëgiminë osmane të prodhimit të vathëve, mjeshtri turk synon ta përcjellë tek brezat e ardhshëm

Mjeshtri Erkan Gürol, 56-vjeç, i cili prodhon vathë me perla, një artizanat tradicional nga periudha osmane që ka mbijetuar deri në ditët e sotme, me origjinë nga rrethi Sivrihisar i Eskisehirit, e filloi profesionin e tij si nxënës në moshë të re

Zehra Ongan  | 19.07.2025 - Përdıtësım : 19.07.2025
Trashëgiminë osmane të prodhimit të vathëve, mjeshtri turk synon ta përcjellë tek brezat e ardhshëm Foto: Zehra Ongan/AA

Eskisehir

Erkan Gürol, një nga mjeshtrit e vathëve me perla Sivrihisar, vazhdon ta mbajë gjallë me durim dhe përpikëri në punishten e tij në lagjen Tepebaşı të Eskisehirit, Turqi, këtë artizanat tradicional 500-vjeçar, i cili është në prag të zhdukjes, transmeton Anadolu.

Mjeshtri Erkan Gürol, 56-vjeç, i cili prodhon vathë me perla, një artizanat tradicional nga periudha osmane që ka mbijetuar deri në ditët e sotme, me origjinë nga rrethi Sivrihisar i Eskisehirit, e filloi profesionin e tij si nxënës në moshë të re.

Pasi ka hapur punishten e tij në lagjen Tepebaşı pas përfundimit të shërbimit ushtarak, Gürol, baba i dy fëmijëve, po punon për ta çuar këtë artizanat në të ardhmen me 40 vjet përvojë personale.

Gürol, një nga dy mjeshtrit e vathëve me perla në qytet, i cili prodhon me shumë kujdes palën e vathëve me 186 pjesë, po ia mëson këtë art të birit në mënyrë që ai të mund ta vazhdojë atë pas tij.

Erkan Gürol për Anadolu tha se ky art, të cilin e filloi në vitin 1985, mund të bëhet vetëm me durim dhe aftësi dhe deklaroi se shkathtësia manuale është e rëndësishme në bërjen e vathëve me perla.

"Kjo punë duhet të bëhet nga dikush që ka sy për art dhe që mund të mbajë pinca. Nuk është një punë që mund ta bëjë kushdo, sepse krijohet art me mjeshtëri të hollë", tha ai.

Gürol deklaroi se historia e vathëve me perla të Sivrihisarit daton 500 vjet më parë dhe se çdo palë vathë përbëhet nga 186 copë.

"Kur bëjmë vathë, së pari fillojmë duke shkrirë arin. E shkrijmë në një furrë. Pastaj, e mbushim arin në kallëpe. Përdorim një makinë cilindrike për të arritur mikronët e dëshiruar. Nuk përdorim më shumë se 13 mikronë. Një fletë gazete është 7-8 mikronë e trashë. Ne punojmë me materiale shumë të holla. Telat tanë janë gjithashtu 25 deri në 30 mikronë. Me vite përvojë, jemi mësuar të punojmë me materiale të holla, por dikush që vjen nga jashtë mund të ketë vështirësi".

"Po përpiqem t'i mësoj djalit tim 19-vjeçar sa më shumë që të mundem"

Gürol shpjegoi se përzgjedhja, përcaktimi i madhësisë dhe saldimi i perlave dhe topave metalikë janë të gjitha procese të ndara që kërkojnë durim. "Një person që e bën këtë praktikisht merr terapi psikologjike. Përzgjedhja e perlave dhe prodhimi i topave janë detyra të ndara në vetvete. Ky është një proces i gjatë", tha ai.

Duke vënë në dukje se është i shqetësuar për kalimin e profesionit te brezat e ardhshëm, Mjeshtri tha: "Po përpiqem t'ia mësoj djalit tim 19-vjeçar sa më shumë që të mundem. Duket sikur profesioni do të mbarojë pas neve. Do të punojmë sa më shumë që të mundemi, por edhe nëse do të donim t'i mësonim dikujt, kjo nuk do të ishte e mundur për shkak të kufizimeve financiare".

Gürol theksoi se vathët me perla Sivrihisar mund të prodhohen vetëm në rajon dhe se një praktikanti i duhen të paktën katër vjet për të mësuar se si të bëjë një palë vathë.

Mjeshtri turk tha se numrat e prodhimit janë ulur me kalimin e kohës për shkak të kërkesës në rënie. "Më parë shisnim 200-300 palë në muaj, por tani shesim mesatarisht 30 palë. Modeli është gjithmonë i njëjtë, ne thjesht prezantuam versione më të vogla".

Gürol deklaroi se në Eskişehir kanë mbetur vetëm dy mjeshtra që vazhdojnë të bëjnë vathë edhe sot, duke shtuar se më parë kishte trajnuar pesë praktikantë dhe se dëshiron ta vazhdojë profesionin e tij për aq kohë sa të mundet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.