Turqia

Presidenti Erdoğan zhvilloi video-konferencë me kancelaren Merkel

Zyra e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë njofton se në video-konferencë u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, pandemia e koronavirusit, si dhe çështjet rajonale me interes për të dy vendet

Ferdi Türkten   | 05.03.2021
Presidenti Erdoğan zhvilloi video-konferencë me kancelaren Merkel ( Mustafa Kamacı - Anadolu Agency )

Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka realizuar një bisedë nëpërmjet video-konferencës me kancelaren gjermane, Angela Merkel, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë njofton se në video-konferencë u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale me interes për të dy vendet.

Në bisedë të pranishëm ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Ömer Çelik, kreu i komunikimeve të presidencës, Fahrettin Altun dhe zëdhënësi i presidencës, Ibrahim Kalın.

Presidenti Erdoğan theksoi rëndësinë e mbajtjes së komunikimeve të hapura dhe dialogut me Merkel-in.

Duke vënë në dukje se Turqia po vazhdon të luftojë pandeminë e koronavirusit dhe gjithashtu ka filluar një normalizim të kontrolluar dhe gradual, Erdoğan tha se vaksinimi në vend po kryhet me shpejtësi dhe sukses.

"Në këtë sfond, sezoni i turizmit duket se do të hapet në prill," shtoi ai.

Turqia ka qenë ndër vendet e para në përdorimin e standardeve të çertifikimit për objektet e udhëtimit dhe turizmit, për të mundësuar udhëtime të sigurta.

Erdoğan gjithashtu i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE) të sigurojë mbështetje financiare dhe teknike për sirianët që duan të largohen vullnetarisht nga Turqia për t'u kthyer në shtëpi.

Turqia strehon rreth 4 milion refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend në botë.

Turqia gjithashtu ka kryer operacione ndërkufitare kundër terroristëve në Siri, pjesërisht për të krijuar një zonë të sigurt dhe për të mundësuar zhvendosjen e sirianëve që duan të kthehen në shtëpi.

Mesdheu Lindor, Libia

Në lidhje me zhvillimet rajonale, Erdoğan tha se Turqia ka ndjekur një qasje konstruktive mbi problemet në Mesdheun Lindor dhe në Detin Egje.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka mohuar pretendimet e Greqisë dhe Qipros Greke në rajon, duke theksuar se këto pretendime të tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Qipros Turke.

Liderët turk në vazhdimësi kanë theksuar se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.

Në lidhje me Libinë, Erdoğan tha se "është e rëndësishme që qeveria e re në Libi të fitojë votëbesimin dhe të marrë detyrën sa më shpejt të jetë e mundur."

Më 23 tetor 2020, OKB-ja njoftoi një marrëveshje të përhershme të armëpushimit midis rivalëve luftarakë të Libisë.

Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në 2011.

Turqia mbështet Qeverinë e Pajtimit Kombëtar të njohur nga OKB (GNA) me qendër në kryeqytetin Tripoli, si dhe një zgjidhje paqësore të problemeve të Libisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın