Turqia

Osmani në SEECP kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet pjesëmarrëse që s'e kanë njohur

Osmani u bëri edhe një herë thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë

Agim Sulaj   | 17.06.2021
Osmani në SEECP kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet pjesëmarrëse që s'e kanë njohur Foto: Zyra e Presidentit të Kosovës / AA

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë pjesëmarrëse e samitit vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), ku para përfaqësuesve të vendeve anëtare të forumit, ka folur mbi sfidat e rajonit, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, duke e falënderuar Turqinë për organizimin e samitit të sivjetmë, presidentja Osmani u shpreh e lumtur që vitin e shkuar, si vend nikoqir, Kosova ia doli ta organizonte samitin e SEECP-së, me të gjitha sfidat e jashtëzakonshme nga COVID-19.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, Osmani theksoi se bashkëpunimi është i domosdoshëm, por duhet të zhvillohet duke respektuar njëri-tjetrin.

“Ne kemi sfida të ngjashme, por mund të ndikojmë në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe në rritjen e sigurisë dhe të stabilitetit në rajon”, tha ajo.

Ajo u bëri edhe një herë thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase ai është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në plotësi sovranitetin e saj dhe integritetin territorial të vendit.

“E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Integrimi euroatlantik nuk përbën vetëm një alternativë për ne, ai parqet rrugën e vetme përpara”, nënvizoi presidentja.

Në fund, komunikata bën të ditur se presidentja ka thënë që BE-ja duhet t’ia njohë përkushtimin institucioneve të Kosovës dhe ta “mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe për integrim më të shpejtë të të gjitha vendeve të rajonit në BE”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın