Turqia

Opozita turke: Blerja e sistemit S-400 “masë për siguri”

“Ministria jonë e jashtme duhet të shqyrtojë me kujdes nëse SHBA dhe NATO po përpiqen me qëllim të na shtyjnë drejt një aksi ruso-iranian ose nëse po përpiqen ta çojnë Turqinë jashtë aleancës”, tha Ağıralioğlu

Emin Avundukluoğlu   | 19.07.2019
Opozita turke: Blerja e sistemit S-400 “masë për siguri” ( Gökhan Balcı - Anadolu Agency )

Ankara

Zëvendëskryetari i partisë turke opozitare IYI dhe deputet në Parlamentin turk, Yavuz Ağıralioğlu, ka deklaruar se blerja e sistemit S-400 nga Turqia është një masë për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare kundër kërcënimeve që rrethojnë atë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi një shtet. Ne i ruajmë të drejtat tona të sovranitetit dhe i përdorim për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare”, tha Ağıralioğlu për AA.

Sipas tij, qëndrimi i SHBA-ve dhe i NATO-s që kanë marrë ndaj Turqisë gjatë procesit të blerjes së sistemit të mbrojtjes ajrore ruse nuk janë në pajtueshmëri me “shpirtin e aleancës”.

“Ministria jonë e jashtme duhet të shqyrtojë me kujdes nëse SHBA dhe NATO po përpiqen me qëllim të na shtyjnë drejt një aksi ruso-iranian ose nëse po përpiqen ta çojnë Turqinë jashtë aleancës”, tha Ağıralioğlu.

Pas përpjekjeve të pasuksesshme për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore ruse, Ankara në vitin 2017 nënshkroi një marrëveshje për të blerë sistemin S-400 nga Rusia.

Dërgesa e komponentëve të sistemit S-400 filloi javën e kaluar dhe deri më tani kanë arritur në Turqi 15 dërgesa të pajisjeve të sistemit S-400. Dërgesat do të vazhdojnë deri në muajin prill të vitit 2020.

Ağıralioğlu tha se “NATO e ka lënë të vetme Turqinë” kundër kërcënimeve të sigurisë që dalin nga Siria.

“Marrëdhëniet tona me NATO-n kishin ngritje dhe ulje më parë. Procesi i prokurimit të raketave S-400 filloi pasi aleati ynë i NATO-s, SHBA, furnizoi me armë PKK/PYD-në që është vetëm 25 kilometra larg kufirit tonë jugor”, theksoi ai.

SHBA-të janë bashkuar me PKK/PYD-në për të luftuar DEASH-in në Siri. Turqia prej kohësh ka kundërshtuar mbështetjen me armë të SHBA-ve për PKK/YPG/PYD-në, duke argumentuar se përdorimi i një grupi terrorist për të luftuar një tjetër nuk ka kuptim.

“Këto armë po vrisnin fëmijët tanë. Kjo do të thotë se nuk jemi më aleatë, por jemi armiq”, u shpreh Ağıralioğlu.

SHBA-të u zotuan se do të gjurmojnë të gjitha armët e dërguar PKK/PYD-së dhe do të ndajnë informacionin me Turqinë.

Megjithatë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Turqisë në qershor të vitit 2017 tha se disa armë të dërguara në Siri ishin konfiskuar në një bastisje mbi PKK-në në Turqi.

Mesdheu Lindor

“Është e pamundur që ne të marrim edhe një hap të vogël pas nga të drejtat tona në Mesdheun Lindor. Nëse marrim një hap pas, ne lejojmë që të drejtat tona të sovranitetit të shkelen”, theksoi Ağıralioğlu.

Deputeti i opozitës turke shprehu mbështetje për presidentin Recep Tayyip Erdoğan lidhur me çështjen e Mesdheut Lindor.

“Ne mund të diskutojmë politikën e brendshme të Erdoğan-it. Megjithatë, ne duhet të bashkohemi. Nuk po i referohem vetëm çështjes së sistemit S-400, (por edhe) për çështjet e sigurisë që lidhen me shtetin tonë dhe gjithë kombin tonë”, u shpreh ai.

Turqia vazhdimisht ka kontestuar shpimet e njëanshme të administratës greke qipriote në Mesdheun Lindor, duke pohuar se edhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) po ashtu ka të drejta për burimet në këtë zonë.

Që nga kjo pranverë, Ankaraja ka dërguar në Mesdheun Lindor dy anije shpimi, anijet Fatih dhe atë Yavuz, duke pohuar të drejtat e Turqisë dhe të TRNC-së mbi burimet e këtij rajoni.

Anije e shpimit e Turqisë “Fatih” nisi operacionet e shpimit në det të hapur këtë maj në një zonë prej 75 kilometra) në brigjet perëndimore të ishullit të Qipros.

Athina dhe grekët qipriotë kanë kundërshtuar këtë lëvizje, duke kërcënuar me arrestimin e ekipeve të anijeve dhe duke i listuar edhe krerët e BE-së për t’u bashkuar me kritikat e tyre.

Në vitin 1974, pas një grusht shteti nga Greqia që synonte aneksimin e Qipros, Ankaraja duhej të ndërhynte si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua TRNC.

Dekadat që nga ajo kohë kanë parë disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros, por të gjitha të dështuara. Ajo e fundit e mbajtur me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, përfundoi në vitin 2017 në Zvicër.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın