Turqia

"Nëse regjimi nuk i ndal operacionet në Idlib, vështirë të flitet për zgjidhje politike"

"Ngjarjet negative në terren do të ndikojnë në procesin politik. Nëse regjimi nuk i ndal operacionet e tij në Idlib, do të jetë e vështirë të flitet për zgjidhjen politike", tha Hariri

Muhammed Shekh Yusuf, Adham Kako  | 20.05.2019 - Përdıtësım : 21.05.2019
"Nëse regjimi nuk i ndal operacionet në Idlib, vështirë të flitet për zgjidhje politike" ( Omar Shagaleh - Anadolu Agency )

Ankara

MUHAMMED ŞEYH YUSUF, ADHAM KAKO

Kryetari i Komitetit të Lartë të Negociatave i përbërë nga opozitarët sirianë, Nasır Hariri tha se "Regjimi i Bashar al-Asadit duke u larguar nga zgjidhja politike, po kryen sulme intensive në Zonën për uljen tensioneve në Idlib".

Hariri në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) ka folur lidhur me pikën e arritur në negociatat për krijimin e Komitetit Kushtetues Sirian dhe rreth sulmeve të regjimit të Asadit në Idib.

"Të gjitha palët pranojnë Deklaratën e Gjenevës në vitin 2012 dhe Rezolutën 2254 të Kombeve të Bashkuara (OKB). Vetëm formimi i Komitetit kushtetues nuk është një zgjidhje politike, por fillimi i një zgjidhjeje politike", tha Hariri.

"Pothuajse ne kemi rënë dakord për rregullat e punës të Komitetit. Janë arritur dakordësime në masë të madhe për emrat e personave që do të përfshihen në negociatat e reja kushtetuese. Gjatë takimit tonë me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Mevlüt Çavuşoglu, kemi thënë se krijimi i Komitetit kushtetues është i afërt dhe se ai do të fillojë punën. Për momentin nuk ka ndonjë datë të përcaktuar por unë mendoj se është afër", tha Hariri duke njoftuar se është arritur një përparim i madh në çështjen për formimin e Komitetit kushtetues.

Ai tha se janë afër zgjidhjes së disa problemeve në komitet. "E vetmja çështje e diskutueshme në Komitetin kushtetues është çështja se kush do t'i zëvendësojë 6 personat të cilët janë fshirë nga lista e OKB-së. Bisedimet janë në vazhdim. Urojmë që lista e OKB-së të jetë e paanshme dhe e balancuar. Nëse arrihet marrëveshje për emrat dhe procedurat, nuk do të ketë pengesa në shpalljen e formimit të komisionit", thekson Hariri.

"Civilët po vendosen në objektiv"

Sipas tij, sulmet e regjimit po rriten derisa negociatat politike afrohen. "Regjimi i Asadit duke u larguar nga zgjidhja politike, po kryen sulme intensive në Zonën për uljen e tensioneve në Idlib. Nëse rajoni bie, zgjidhja politike do të përfundojë para fillimit të procesit. Ngjarjet negative në terren do të ndikojnë në procesin politik. Nëse regjimi nuk i ndal operacionet e tij në Idlib, do të jetë e vështirë të flitet për zgjidhjen politike", tha Hariri.

Ai rikujton se Rusia ofron mbështetje për regjimin e Asadit që nga viti 2015. "Me pretekstin e terrorizmit civilët dhe infrastruktura po vendosen në objektiv me armë të rënda dhe avionë në mënyrë të qëllimshme dhe sistematike në zonat për uljen e tensioneve. Në emër të terrorizmit, duan të bëjnë presion mbi Turqinë për grupet ushtarake. Turqia, është duke bërë përpjekje të mëdha për ndalimin e operacionit ushtarak në Idlib. Turqia dhe opozitarët, janë duke u përpjekur për të mbrojtur civilët", potencon Hariri.

Hariri deklaroi se dhjetëra civilë kanë vdekur për shkak të sulmeve intensive kundër Idlibit. "Katastrofa në Idlib nuk mund të shpjegohet. Qindra mijëra civilë u zhvendosën për herë të dytë", tha ai.

Në vlerësimin e tij në lidhje me takimin e zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Turqisë Çavuşoğlu, Hariri tha se "Ne zhvilluam një takim shumë të dobishëm dhe të rëndësishëm për të kuptuar në mënyrë të qartë dhe se çfarë po ndodh në të vërtetë si dhe për të koordinuar përpjekjet e përbashkëta për të ndaluar sulmet".

"Regjimi ka terrorizuar sistematikisht për 40 vjet me armët që ka ruajtur. Milicët terroristë të mbështetur nga Irani dhe organizatat terroriste separatiste si FDS zbatojnë terrorizëm kundër popullit sirian", tha më tej Hariri.

Ai shtoi se në Siri qindra mijëra persona ndodhen në arrest në burgjet e regjimit. "Vendimet e OKB-së parashikojnë që të gjitha palët të lirojnë të arrestuarit. Por, kohën e fundit nuk është arritur asnjë zhvillim në këtë çështje", tha ai.

Hariri po ashtu ka vënë theksin se regjimi duhet të rritë përpjekjet për lirimin e personave që ka arrestuar.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.