Turqia

"Ndalimi i kamionëve të MIT, vepër e planifikuar e organizatës terroriste FETO"

Gjykata Supreme e Turqisë konstaton se ndalimi i kamionëve të MIT në janar të vitit 2014 në Hatay dhe Adana nuk ishte veprimtari e rregullt juridike, por një aktivitet i planifikuar që kishte organizuar organizata terroriste FETO

Kemal Karadağ,Aylin Sırıklı   | 11.09.2019
"Ndalimi i kamionëve të MIT, vepër e planifikuar e organizatës terroriste FETO"

Ankara

Gjykata Supreme Turke (Yargitay) publikoi një arsyetim të plotë të vendimit lidhur me çështjen e ndalimit të kamionëve të Shërbimit Inteligjent Turk (MIT), sipas së cilës me burgime të ndryshme u dënuan 54 të akuzuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Arsyetimi i aktgjykimit është shkruar në 1.320 faqe, rast ky në të cilin u dënuan edhe ish-kryeprokurori i Përgjithshëm në Adana, Suleyman Bagriyanik, komandanti i xhandarmërisë në Adana, Hamza Celepoglu dhe prokurorët Aziz Takci dhe Ozcan Sisman.

Vendimi i aktgjykimit u soll në fund të qershorit ndërsa të akuzuarit u ngarkuan për anëtarësim në organizatën terroriste FETO dhe zbulimin e sekreteve shtetërore.

Arsyetimi potencon se Turqia në bashkëpunim me Ushtrinë e Lirë Siriane (ULS) në veri të Sirisë ka mbrojtur kufijtë saj, popullin dhe institucionet nga faktorë të huaj të armatosur dhe formacione sistematike të armatosura, ku shihet se Turqia këto operacione i ka kryer në përputhje me të drejtën legale dhe legjitime ndërkombëtare për vetëmbrojtje.

Poashtu potencohet se Turqia është e rrezikuar drejtpërdrejt nga pasojat e luftës në Siri dhe veprimet e grupeve terroriste në rajon dhe se për këtë arsye në vitin 2013 ndërmori disa aktivitete me qëllim të mbrojtjes nga sulmet terroriste, pengimin e ndarjes së Sirisë. Forcat Turke në bashkëpunim me ULS-në ndërmorën një sërë operacionesh me qëllim të mos lejimit të formimit të korridorit përgjatë kufirit që do të ishte nën pushtimin e PYD-së, degës sirane të organizatës PKK.

Gjykata në arsyetim thekson se organizata terroriste FETO, synimi kryesor i së cilës ishte rrënimi i rendit kushtetues të Turqisë, ka qenë aktive edhe në këtë periudhë dhe se ka bërë çmos që në arenën ndërkombëtare të prish imazhin dhe dinjitetin e qeverisë turke.

Më tej Gjykata rikujton se lidhur me rastin e ndalimit të kamionëve të MIT, gazeta "Aydinlik" më 21 janar 2014 publikoi lajmin me titullin "Ja pra, armë në maune" ndërsa në portalin e internetit u publikua shkrimi me titullin "Aydinlik në posedim të fotografive të armëve: Nuk janë tyta, janë granata".

Poashtu përkujtojnë se Can Dundar dhe Erdem Gulu në gazetën “Cumhuriyet“ në maj dhe qershor të vitit 2015 publikuan shkrimin me titull "Ja armët të cilat i mohonte Erdoğani" duke publikuar fotot e armatimit i cili pretendohet se ndodhej në kamionët e ndaluar të MIT.

Gjykata Supreme e Turqisë konstaton se ndalimi i kamionëve të MIT në janar të vitit 2014 në Hatay dhe Adana nuk ishte veprimtari e rregullt juridike, por një aktivitet i planifikuar që kishte organizuar organizata terroriste FETO.

Gjykata në arsyetim sqaron se është i qartë akti i sulmit ndaj aktivieteve të qeverisë dhe MIT-it dhe se nuk ka mundur të kryhet nga persona që veprojnë kokë më vete, por nga persona që veprojnë me urdhër të organizatës.

Arsyetimi shton se janë mbledhur prova të qarta se kamionët e MIT u ndaluan nga pjesëtarët e organizatës terroriste FETO dhe se e gjithë ngjarja është realizuar në mënyrë të planifikuar.

Për zbatimin e aktiviteteve të tilla ishin ngarkuar pjesëtarët e FETO-s të cilët ishin infiltruar më herët në funksione të larta brenda institucioneve shtetërore dhe të cilët kanë keqpërdorur pozitën në favor të organizatës terroriste FETO.

Gjykata potencon se rasti i ndalimit të kamionëve të MIT tregon qartë se organizata terroriste FETO ka një hierarki të strukturuar dhe me plane për objektivë të qartë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın