Turqia

Ministri Fidan do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel

Kryediplomati turk Hakan Fidan do të marrë pjesë nesër në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s që do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel

Mehmet Şah Yılmaz  | 02.12.2025 - Përdıtësım : 02.12.2025
Ministri Fidan do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel

Ankara

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan do të marrë pjesë nesër në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s që do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel të Belgjikës, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve nga burime të Ministrisë së Jashtme, Fidan do të zhvillojë takime dypalëshe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian Kaja Kallas, Komisioneren e BE-së për Zgjerimin Marta Kos, sekretaren e Jashtme britanike Yvette Cooper, ministrin e Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares dhe disa homologë të tjerë.

Takimi që do të mbahet në selinë e NATO-s do të ofrojë mundësi për shkëmbimin e parë të pikëpamjeve midis ministrave të Jashtëm mbi rezultatin e Samitit të Hagës të mbajtur në qershor dhe përgatitjet për Samitin e NATO-s, që do të organizohet nga Turqia në Ankara më 7-8 korrik 2026.

Takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s do të mbahet në dy seanca. Seanca e parë e takimit pritet të përqendrohet ekskluzivisht në çështjet prioritare në axhendën e Aleancës, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s. Në këtë kontekst, pika kryesore e rendit të ditës pritet të jenë zhvillimet e fundit në sigurinë euroatlantike, veçanërisht lufta Rusi-Ukrainë.

Ministrat e Jashtëm të vendeve aleate pritet të trajtojnë zhvillimet në lindje të Aleancës si dhe çështje me shqetësim të rëndësishëm ndërkombëtar për sigurinë, siç janë politikat e NATO-s drejt jugut, situata në Ballkan dhe ndikimi i rajonit të Azi-Paqësorit në sigurinë euroatlantike.

Ministri Fidan pritet të trajtojë kontributet e Turqisë në Aleancë dhe sigurinë evropiane përmes aftësive të saj të forta dhe moderne ushtarake dhe industrisë mbrojtëse. Ai do të ndajë informacion me ministrat e Jashtëm të vendeve aleate mbi përgatitjet për Samitin e NATO-s në Ankara. Fidan do të theksojë se përpjekjet për të forcuar shtyllën evropiane të NATO-s duhet të jenë plotësuese dhe jo përsëritëse dhe se iniciativat mbrojtëse të BE-së që synojnë këtë qëllim duhet të jenë të hapura për pjesëmarrjen e të gjithë aleatëve jo-anëtarë të NATO-s.

Gjatë seancës, Fidan pritet të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, të përsërisë pritjet e tij për heqjen e të gjitha pengesave midis aleatëve në këtë fushë si dhe të trajtojë kontributet e Turqisë, si aleati i dytë më i madh që ofron më shumë kontribut në misionet dhe operacionet e NATO-s, përfshirë edhe marrjen e komandës së Forcës Paqesore të Kosovës (KFOR) të udhëhequr nga NATO për herë të dytë në tetor të këtij viti.

Në seancën e dytë dhe të fundit të takimit të Këshillit NATO-Ukrainë është planifikuar të marrin pjesë ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha dhe shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Kallas. Në seancë do të trajtohet situata në luftën Rusi-Ukrainë, përpjekjet për t'i dhënë fund luftës dhe përpjekjet për reforma në Ukrainë.

Ministri Fidan do të përsërisë mbështetjen e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, të ndajë informacione lidhur me ndihmën e saj për Ukrainën, se diplomacisë duhet t'i ofrohet mundësia për të përfunduar luftën Rusi-Ukrainë dhe për të vendosur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, të shprehë pikëpamjet e Turqisë lidhur me zhvillimet e fundit të përjetuar në këtë kontekst dhe të theksojë gatishmërinë e Turqisë për të kontribuar në çdo mënyrë në procesin e paqes.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.